LAJMET E MBRËMJES

Sorensen: Lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave, gur themeltar i integrimit në BE

Peter Sorensen ka vizituar të martën disa prej pikëkalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka vlerësuar me këtë rast se lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave përbën një prej pikave kyç për integrim në Bashkimin Evropian. Ka qëndruar edhe në veri

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, të martën, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, i ka vizituar disa prej pikëkalimeve të përbashkëta kufitare me Serbinë.

Për informatat që i ka marrë për këto pikëkalime, Sorensen ka njoftuar nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, tek ka publikuar edhe fotografi nga vizita e zhvilluar te pikëkalimi kufitar në Muçibabë.

Në platformën X, ai ka shkruar se ndër pikat kyç të integrimit në Bashkimin Evropian është lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave.

“Është mbresëlënëse të shohësh dhe të informohesh për pikëkalimet e përbashkëta. Derisa është bërë shumë, ne duhet të rifillojmë punën e mbetur pa vonesë. Ka të bëjë me lejimin e njerëzve dhe të mallrave që të lëvizin lirshëm - një gur themel i integrimit në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Sorensen.

Sorensen të martën ka qëndruar edhe në veri, por për këtë vizitë nuk ka ndarë hollësi.

Sorensen vizitën e tij të parë në Kosovë, prejse është emëruar pasues i Miroslav Lajçakut në lehtësimin e dialogut, e ka nisur të hënën, kur ka mbajtur takime me udhëheqës institucionalë dhe me ata partiakë.

Ai i ka quajtur fillim të mirë bisedimet e mbajtura me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

E pas takimeve të ndara me liderë dhe përfaqësues të PDK-së, LDK-së e AAK-së, Sorenseni ka theksuar se të gjithë në Kosovë janë në dijeni se procesi i normalizimit me Serbinë është i rëndësishëm për vendin dhe se ai duhet të mbështetet nga të gjithë.

Pas Kosovës, Sorensen pritet që të qëndrojë për vizitë edhe në Serbi.