LAJMET E MBRËMJES

Sorensen do të jetë lehtësuesi i ardhshëm në dialogun Kosovë-Serbi

Nëse gjithçka shkon sipas planit, vendet anëtare të BE-së deri në fund të këtij muaji do ta konfirmojnë danezin Peter Sorensen si emisar për dialogun Kosovë - Serbi dhe ai do ta nisë punën nga fillimi i shkurtit. Zgjedhja e tij nga diplomatët shihet si shenjë se Kaja Kallas dëshiron të ketë në atë post një person që e njeh dosjen dhe se edhe ajo personalisht dëshiron të jetë e angazhuar në procesin e dialogut

Menjëherë pasi Miroslav Lajçak më 31 janar ta përfundojë mandatin e tij gati pesëvjeçar, Bashkimi Evropian do të duhej ta ketë të gatshëm pasardhësin e tij.

Siç ka mësuar KOHA nga burimet diplomatike evropiane, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e ka zgjedhur danezin Peter Sorensen të jetë përfaqësues i posaçëm (EUSR) për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas procedurave të BE-së, tash duhet që këtë ta konfirmojnë edhe vendet anëtare të BE-së në Këshill. Kjo do të jetë në rend dite javën e ardhshme, me gjasë të martën më 21 shkurt, në Komitetin për politikë dhe siguri e më pas do të dërgohet për konfirmim në nivel ministror.

Burimet e KOHËS në Bruksel kanë thënë se e gjithë kjo pritet të jetë vetëm formalitet, pasi asnjë vend anëtar nuk ka asnjë kundërshtim për Sorensenin.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, vendet anëtare të BE-së deri në fund të këtij muaji do ta konfirmojnë Sorensenin si EUSR për dialog dhe ai do ta nisë punën nga fillimi i shkurtit.

Peter Sorensen është një diplomat me përvojë të madhe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Ka ushtruar disa detyra, qysh nga periudha e administratës së UNMIK-ut në Kosovë, në shtyllën që e ka udhëhequr BE-ja e deri te roli i Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për Bosnjë-Hercegovinë dhe shef i Zyrës së BE-së në Sarajevë. Ka qenë edhe shef Zyrës së BE-së në Shkup si dhe i dërguar i posaçëm i Përfaqësuesit të lartë të BE-së për Serbi. Në këtë moment është këshilltar principal në Shërbimin e veprimit të jashtëm të BE-së për diplomaci digjitale.

Zgjedhja e tij nga diplomatët shihet si shenjë se Kaja Kallas dëshiron të ketë në atë post një person që e njeh dosjen dhe se edhe ajo personalisht dëshiron të jetë e angazhuar në procesin e dialogut.

Kur ishte emëruar Miroslav Lajçak para pesë vjetësh ishte thënë se përveç përvojës së tij, rëndësi ka edhe fakti se ka qenë ministër i një vendi anëtar që është një nivel më i lartë edhe politik e jo vetëm diplomatik.  

Për postin e lehtësuesit të dialogut ishte përmendur edhe emri i ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, i cili po ashtu ka njohuri për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Në Kosovë, Haavisto ka qenë nënkryetar i "Shtyllës IV" (Rindërtimi dhe Zhvillimi Ekonomik) të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), nga viti 2002 deri në vitin 2006, si dhe këshilltar i lartë i përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë nga viti 2001 deri më 2002.