LAJMET E MBRËMJES

Sopi: UÇK-ja s’ishte ushtri e rregullt, LDK-në s’e kishim kundërshtare

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së për Prishtinë e ka përmbyllur të hënën dëshminë e tij në Speciale. Fatmir Sopi, i cili ishte komandant në Zonën Operative të Llapit, ka thënë se UÇK-ja nuk pati organizim të rregullt. Sipas tij, gjithçka ishte organizim vullnetar. Ka folur edhe për raportet me LDK-në gjatë luftës

Ish-komandanti i Brigadës 153 në Zonën Operative të Llapit, Fatmir Sopi, ka deklaruar të hënën para Gjykatës Speciale në Hagë se në zonën që i përkiste UÇK-ja nuk pati asnjëherë konflikt me LDK-në.

Në dëshminë e tij, në rastin ku për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit po gjykohen ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ai ka thënë se në radhët e UÇK-së kishte edhe anëtarë të LDK-së e edhe ish-oficerë të Armatës jugosllave.

“Mesa kuptova unë, anëtarët e LDK-së mund të përfshiheshin në UÇK e edhe ish-oficerët e Armatës jugosllave mund të ishin pjesë e UÇK-së”. Kështu? Ndonjë emër për shembull?, pyeti avokatja e Kadri Veselit, Ann Rowan.

Sopi dha disa emra në përgjigjen e tij.

“Shef të Shtabit të Zonës e kemi pasur Nuredin Ibishin. E kemi pasur Izdriz Shabanin, komandant të Brigadës 151, ish-oficer i Ushtrisë jugosllave, ndërsa njëri ka qenë zyrtar policor – Nuredin Ibishi”, ka thënë Sopi, që aktualisht është kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së për Prishtinë. 

Ai ka thënë, po ashtu, se UÇK-ja nuk ishte e organizuar si ushtri me hierarki të rregullt. 

“I keni thënë Prokurorisë në provën 1766.2, në faqen 4 se ju nuk e konsideronit atë (Adem Shehun) komandant, sepse UÇK-ja ishte ushtri vullnetare. Pra e keni fjalën ju, që personat iu bindeshin urdhrave thjesht sepse i respektonin apo pajtoheshim me urdhrat?”, ka pyetur sërish avokatja e Veselit, Rowan.

Sopi u përgjigj se gjithçka ishte në baza vullnetare.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka mundur të ketë rregull dhe disiplinë sikur sot që kanë për shembull ushtritë e NATO-s, sepse ajo është bazuar në qenien e saj si vullnetare dhe ushtarët që iu kanë bashkëngjitur kanë qenë plotësisht me vullnetin e tyre dhe pa asnjë presion nga askush”, ka thënë ai. 

Sopi e ka quajtur hero të gjallë tashmë të akuzuarin nga Specialja, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Pos tij e Veselit, në këtë rast po gjykohen edhe Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Ndërkohë, të hënën dëshminë e ka nisur edhe dëshmitari i 99-të me radhë, i cili ka dëshmuar me masa mbrojtëse dhe në seancë private për publikun.