LAJMET E MBRËMJES

Sokol Dobruna lirohet nga obligimi për dëshmi në Hagë, pasi tha se s’i kujtohen shumë ngjarje

Në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, është ndërprerë dëshmia e ish-udhëheqësit të Sektorit Juridik në UÇK, Sokol Dobruna. Kjo u bë nën arsyetimin se Dobruna ka probleme me kujtesën

Në gjysmë ka mbetur dëshmia e Sokol Dobrunës në Hagë, për shkak të problemeve që ka thënë se ka me kujtesën. 

Në rastin gjyqësor për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshminë përmes video-lidhjes Dobruna e nisi përkrah avokatit të tij Arianit Koci.

Në gjykatore u paralajmërua se ish-udhëheqësi i sektorit juridik në UÇK do të dëshmojë dy ditë rresht, atë e përfundoi herët të martën, pasi shumica e përgjigjeve që dha në pyetjet e prokurorit, ishin: “nuk më kujtohet”. 

“Ju po kërkoni prej meje edhe pse është vërtetuar se unë jam kah harresa shumë keq dhe nuk po e kuptoj këtë qasje të prokurorit. Absolutisht unë nuk jam në gjendje të më kujtohen të gjitha, nuk jam në gjendje”, ka thënë Dobruna.

Megjithëkëtë, prokuroria insistoi të dinte nëse Dobruna ishte emëruar në pozitën e shefit të sektorit ligjor me vendim të Shtabit të Përgjithshëm.

“Me siguri, meqenëse më është komunikuar ashtu. Unë procedurën nuk e di se si është ardhur deri te ajo, por e di që kërkesa ka qenë e Adem Demaçit”, është përgjigjur Dobruna.  

Pas një pauze të shkurtër, prokurori John Capin tha se në marrëveshje edhe me avokatët e të akuzuarve, deklaratat e dhëna më herët nga Dobruna do të pranohen si prova.

“ZPS-ja në këtë kohë do të bëjë një parashtrim në përputhje me rregullin 155-1 dhe do të kërkojë që të pranohen deklaratat e mëparshme të këtij dëshmitari dhe mbështetur në komunikimet inter-parte, nuk ka kundërshtime për pranimin e këtyre deklaratave të mëhershme të dëshmitarit. Duke pasur parasysh se çfarë kemi parë sot dhe zhvillimin e procesit gjyqësor, ne mendojmë se elementët e rregullës 155 paragrafi 1 janë përmbushur”, ka thënë prokurori Capin.

Parashtrimin e Prokurorisë e pranoi trupi gjykues.

“Ne do e ndërpresim këtu dëshminë tuaj, sepse palët kanë rënë dakord që të pranohen deklaratat e mëparshme që keni dhënë ju dhe që ato janë të plota dhe do të pranohen si të tilla. E kemi marrë këtë vendim sepse kishit disa vështirësi për të mbajtur mend disa prej çështjeve”, ka thënë Charles Smith, kryetar i Trupit Gjykues.

Dobruna, gjatë riorganizimit të UÇK-së pas tetorit 1998, kishte marrë përsipër krijim e Gjykatës Ushtarake. Sipas ish-komandantëve, të cilët kanë dëshmuar deri tash, gjykata nuk u funksionalizua.
Pas Dobrunës, në Hagë ka filluar të dëshmojë një dëshmitar i mbrojtur i cili betimin e dha në gjuhën shqipe. 

Prezantimin e tij e bëri prokurori Cezary Michalczuk.

“Në 1999 dëshmitari (W04500) u arrestua nga anëtarë të armatosur të UÇK-së dhe u dërgua në një vend ndalimi ku është marrë në pyetje dhe është rrahur. Është mbajtur i ndaluar me disa persona të tjerë dhe më pas është zhvendosur me disa prej tyre në një vend të dytë ndalimi. Dëshmitari (W04500) u lirua pas rreth një muaji në ambientet e ndalimit”, ka thënë prokurori Michalczuk.

Në shkresat e lëndës thuhet se ky dëshmitar gjatë ndalimit nga UÇK-ja ishte rrahur me kondak të armëve, grushte e shqelma në ditën e dytë ose të tretë të ndalimit. Sipas Prokurorisë, ai është pyetur lidhur me bashkëpunimin e pretenduar që ka pasur me zyrtarët policorë serbë të asaj kohe.