LAJMET E MBRËMJES

Sllovakia do ta mbyllë zyrën ndërlidhëse në Kosovë

Më 31 dhjetor, Sllovakia do ta tërheqë zyrën e saj ndërlidhëse në Kosovë. Autoritetet në Prishtinë nuk e kanë interpretuar vendimin si degradim raportesh me shtetin që bën pjesë në 5-shen e BE-së, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë. E, në opozitë theksuan se vendimi është pasojë e marrëveshjes së Ohrit

Qeveria e Kosovës e ka pranuar si të mirëqenë vendimin e Sllovakisë që, nga viti i ardhshëm, ta mbyllë zyrën ndërlidhëse në Prishtinë.

Në një përgjigje me shkrim, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD) ka vlerësuar se vendimi është pjesë e një riorganizimi të brendshëm të rrjetit diplomatik të Sllovakisë. Sipas kësaj ministrie, ristrukturimet e tilla të rrjeteve diplomatike, në përputhje me objektivat strategjike dhe resurset e kufizuara, janë evidente edhe në shtete të tjera.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, bazuar edhe në sqarimet e këtij njoftimi, vlerëson se vendimi është pjesë e një riorganizimi të brendshëm të rrjetit diplomatik të Sllovakisë. Ristrukturimet e tilla të rrjeteve diplomatike në përputhje me objektivat strategjike dhe resurset e kufizuara janë evidente edhe në shtete të tjera”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Në Prishtinë kanë shprehur qëndrimin për ruajtje të raporteve me shtetin që bën pjesë në pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk ia kanë njohur pavarësinë Kosovës.

“Kosova mbetet e përkushtuar për të ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet që ka zhvilluar me Sllovakinë, qoftë përmes zyrës ndërlidhëse, qoftë përmes takimeve në forume të tjera në nivel rajonal, evropian dhe global”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Pas vendimit të Sllovakisë, ka reaguar ish-kryediplomati Enver Hoxhaj, i cili është deputet i Partisë Demokratike, subjekti politik më i madhi në opozitë. Ai ka vlerësuar se vendimi është pasojë e marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër. 

“Marrëveshja e 2013-s u hapi rrugë disa njohjeve, nga Egjipti deri në Singapor, Pakistan dhe shumë vende të tjera! Marrëveshja e Uashingtonit solli njohjen e Izraelit, e Marrëveshja e Ohrit shtyu Sllovakinë ta mbyllë zyrën në Prishtinë dhe ta mbulojë Kosovën nga Beogradi. Kaq për politikën e jashtme të Albin Kurtit!”, ka shkruar Hoxhaj në rrjete sociale.

Përveç zyrës ndërlidhëse në Kosovë, Sllokavia ka vendosur që më 31 dhjetor t’i mbyllë ambasadat në Danimarkë e Norvegji dhe konsullatat në Krakov e Shën-Petersburg.