“Diku një e treta e vendeve anëtare (të BE-së) kanë dashur që masat të hiqen në tërësi. Por një e treta e vendeve anëtare nuk janë pajtuar me këtë. Arsyeja që kanë përmendur është se Kosova nuk i ka përmbushur plotësisht të gjitha kërkesat e vendosura nga Bashkimi Evropian”, i ka thënë KOHËS një burim diplomatik në Brukselin zyrtar
Masat të cilat i janë vendosur Kosovës një vit më parë pritet që të hiqen gradualisht dhe pjesërisht, teksa kjo do të bëhet e ditur gjatë ditëve në vijim, kanë thënë të enjten për KOHËN disa burimet diplomatike në Bashkimin Evropian (BE).
Heqja “graduale” e masave, sipas burimeve, është një kompromis i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pasi që ato nuk janë pajtuar që të gjitha se Kosova i ka përmbushur në tërësi kërkesat e vendosura nga BE-ja.
Përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së kanë diskutuar për heqjen e masave ndaj Kosovës të mërkurën, në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, ku janë ambasadorët e vendeve anëtare.
Bazë për diskutim ka qenë raporti i përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, i cili u është dorëzuar vendeve anëtare vetëm një ditë para takimit.
“Duke konsideruar hapat e Kosovës në drejtim të përmbushjes së kërkesave të BE-së, të shprehura në deklaratën e 3 qershorit 2023, përfaqësuesi i lartë rekomandon që Këshilli të marrë qëndrimin për tërheqjen e masave ndaj Kosovën, duke respektuar ndërkohë prerogativat institucionale. Vendimi i Këshillit do të ishte një sinjal politik që kontribuon në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Beograd-Prishtinë, i lehtësuar nga BE-ja, mund të avancojë. Kosova pritet që ta shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë shtensionuese dhe të evitojë veprimet e pakoordinuara“, është theksuar në raportin e Borrellit.
Sipas burimeve diplomatike në Brukselin zyrtar, “diskutimet kanë qenë shumë të vështira dhe ka pasur dallime të mëdha në qëndrime mes vendeve anëtare”.
“Diku një e treta e vendeve anëtare kanë dashur që masat të hiqen në tërësi. Por një e treta e vendeve anëtare nuk janë pajtuar me këtë. Arsyeja që kanë përmendur është se Kosova nuk i ka përmbushur plotësisht të gjitha kërkesat e vendosura nga Bashkimi Evropian”, i ka thënë KOHËS një burim diplomatik në BE.
Tash pritet që Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEASS) të përgatisë një deklaratë me të cilën do t’i komunikojë hapat që do të ndërmerren në funksion të heqjes graduale të masave ndaj Kosovës. Kjo pritet të ndodhë, mundësisht deri të hënën. Përmendet heqja e suspendimit të mjeteve financiare nga IPA (Fondet e para anëtarësimit) si hap i parë, ndërsa hapat e tjerë do të pasonin më vonë.
Zyrtarë të BE-së kishin diskutuar për herë të parë rreth mundësisë së heqjes së masave në prill të këtij viti, andaj edhe kanë kërkuar një raport prej Borrellit.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën detyrën e tyre në komunat në veri. Ndër masat e BE-së janë suspendimi i përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Propozimet e dorëzuara nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimorë (WBIF) nuk janë paraqitur për shqyrtim në Bordin e këtij fondi. Kontratat e reja ku autoritetet e Kosovës janë përfituese tash për tash janë të ndalura.
Autoritetet në Kosovë disa herë kanë insistuar se i kanë përmbushur kërkesat për heqjen e masave dhe se situata në veri të Kosovës është shtensionuar, serbët e Kosovës kanë pasur mundësi të votojnë për shkarkimin e kryetarëve të komunave dhe tash, sipas tyre, nuk ka më arsye që të mbahen këto masa.