Përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi shëndetësor e mosekzekutimi me rregull i pagave janë disa nga temat që janë diskutuar në një takim mes Sindikatës së minatorëve të “Trepçës” dhe përfaqësuesve të sindikatave nga SHBA-ja, Australia e Shqipëria. Ata i bënë thirrje Qeverisë të trajtojë më me dinjitet minatorët
Gani Osmani ka 43 vjet pune në minierën e “Trepçës”. Por këto vite përvojë nuk do të pasqyrohen në përfitimet pensionale pas tre vjetësh kur do të dalë në pension.
Ai do të trajtohet sikur nuk ka punuar kurrë, pavarësisht dekadave gërmim nën tokë.
“Unë qe 43 vjet punoj në minierë, kur dal në pension dal si i papunë, janë dalë edhe shokët tonë qashtu. Ky është pension e pleqërisë, sikur ai që nuk ka punuar kurrë sikur ai që e ka qu jetën me pluhur e me gazna. Kjo nuk është barazi”, ka thënë Osmani.
Kjo është vetëm një nga shumë sfidat që minatorët e Kosovës përballen çdo ditë. Sipas Osmanit, minatorët nuk kanë as sigurim shëndetësor dhe mjekimin e lëndimet eventuale duhet t’i mbulojnë vetë.
E hallet e minatorëve të hënën i dëgjuan edhe sindikalistë nga Shqipëria, Australia e SHBA-ja.
Kryetari i Sindikatës së pavarur të minatorëve të “Trepçës”, Rrahman Januzi, teksa i priti dhe i njoftoi mysafirët me situatën e rëndë, tha se është shqetësuese se si shteti po i trajton kërkesat e tyre.
“Ne e mbajtëm një takim, dua t’ju njoftoj për takimin ku u njoftuam për sfidat e sindikalizmit në Kosovë, për periudhën e vështirë të sindikatës ku po kalojmë në mungesë të dialogut social dhe mostrajtimi i kërkesave të të gjithë minatorëve në Republikën e Kosovës, që për ne dhe të gjithë kolegët e mi minatorë është shqetësuese një trajtim i tillë nga Qeveria e Kosovës”, ka deklaruar Januzi.
Ndërkohë mysafirët kërkuan nga institucionet e Kosovës trajtim të dinjitetshëm dhe të drejtë për minatorët.
“Këtu ne jemi sot për çështjen e Sindikatës së minatorëve të “Trepçës”, për kushtet në të cilat punojnë, për sjelljen e menaxhmentit që është marrë deri tani me problematikën e minatorëve të “Trepçës”, njëkohësisht edhe me situatën e krijuar”, ka thënë Gëzim Kalaja, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Shqipërisë.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk i ka mbajtur premtimet.
“Unë personalisht në takimin e zhvilluar në ‘Trepçë’ i kam deklaruar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe i bëj apel nga ky takim që po zhvillohet, që të mbajë angazhimet dhe premtimet për minatorët e ‘Trepçës’ dhe për të gjithë minatorët e Kosovës”, ka shtuar ai.
Përkrahje minatorëve u ka dhënë edhe Phil Smith, përfaqësues i Sindikatës së Minatorëve të SHBA-së.
“Presidenti im (i Sindikatës v.j.) pak më parë dërgoi një letër tek kryeministri i Kosovës duke kërkuar që minatorët e ‘Trepçës’ të trajtohen në mënyrë më humane dhe në mënyrë të drejtë. Jam këtu për ta ritheksuar dhe riforcuar atë mesazh sot. Mendoj që është e rëndësishme ta kuptojmë për kë po flasim. Njerëz që e vunë jetën e tyre në rrezik çdo ditë, kur shkojnë poshtë nën dhe duke mundësuar nxjerrjen e mineraleve që janë esenciale për këtë vend dhe vetëm duan të mundësojnë kushte të mira për familjet e tyre, duan të sigurojnë një pension të sigurt kur të dalin në pension. Duan të kenë mundësi që të punojnë në mënyrë të sigurt dhe të kthehen tek familjet e tyre në fund të ditës, pse është kaq shumë për t’u kërkuar?’, ka thënë Phil Smith.
Zgjidhje të problemeve për minatorët ka kërkuar edhe Stif Smith, përfaqësues i Sindikatës së Minatorëve në Australi.
“Është tani detyrë për ne për të sjellë çështjet që kanë përmendur vëllezërit tanë këtu tek institucionet më të larta të qeverisë australiane, përfshirë këtu edhe Ambasadën e Kosovës në Australi. Industria e minierave është shumë e madhe në Australi dhe ne i dimë vështirësitë që kalojnë këta punëtorë”, ka thënë australiani Smith.
Pos kushteve elementare për punë, minatorët shpesh janë përballur edhe me mosmarrje të pagave me kohë. Së fundi, për këtë edhe u futën në grevë.