Afro 90 për qind e 2 mijë rasteve të dhunës në familje të raportuara për këtë vit janë vajzat dhe gratë. Në aktivitetin “Ato janë Ne”, presidentja Vjosa Osmani së bashku me ministret Albulena Haxhiu e Arbërie Nagavci u kanë bërë thirrje institucioneve të drejtësisë të mos i neglizhojnë rastet e dhunës mbi baza gjinore dhe t’i vendosin dhunuesit para përgjegjësisë penale
Me qëllim të sensibilizimit të qytetarëve kundër dhunës me bazë gjinore, presidentja Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ajo e Arsimit, Arbërie Nagavci, me gjurmët e duarve ngjyrë portokalli shënuan simbolin “Mjaft” në banerin me ngjyrë të zezë të vendosur në sheshin e kryeqytetit.
Në aktivitetin “Ato janë Ne”, organizuar në kuadër të fushatës: “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, presidentja Osmani ka thënë se institucionet e drejtësisë duhet t’i japin prioritet luftimit të, siç e quajti ajo, fenomenit të dhunës mbi baza gjinore.
“Për fat të keq në të kaluarën ka pasur shumë raste kur kryerësit e këtyre veprave penale ose janë liruar ose kanë paguar thjeshtë një gjobë dhe pastaj të tillët janë shndërruar në përsëritës të veprave penale kundër vajzave dhe grave. Pra, një ndër prioritet tona duhet që të jetë që të kemi institucione të drejtësisë sa më efikase në luftimin e dhunës mbi baza gjinore”, është shprehur Osmani.
Në kuadër të fushatës së organizuar nga Ministria e Drejtësisë janë paraparë mbi 80 aktivitete në komuna të ndryshme të vendit.
Ministrja Albulenë Haxhiu ka thënë se rastet e dhunës mbi baza gjinore nuk duhet të paragjykohen dhe neglizhohen nga institucionet. Sipas saj, institucionet po angazhohen vazhdimisht për ofrimin e ndihmës juridike falas për secilën viktimë.
“Nga janari deri më tani i kemi pasur rreth 2000 raste të dhunës në familje, ku 90% e tyre janë ndaj vajzave dhe grave dhe në anën tjetër është përqindja ndaj djemve dhe burrave. Por, edhe kur ndodh dhuna në familje ndaj djemve dhe burrave, do të thotë brenda familjes është djali ndaj babait apo babai ndaj djalit. Pra, shohim se dhunën në familje e kemi fenomen në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim do të lansohet programi i parë për trajtimin e dhunuesve.
Aktivitete me qëllim vetëdijesimi ka ndërmarrë edhe Ministria Arsimit. Në çdo shkollë me vendim të ministres Nagavci ora e parë e mësimit i është kushtuar vetëdijesimit për dhunën mbi baza gjinore.
“Në të gjitha shkollat kanë filluar aktivitete vetëdijesuese për nxënësit, për mësimdhënësit dhe stafin tjetër në shkolla në mënyrë që të gjithë fëmijët, vajzat dhe djemtë tanë jo vetëm që të njihen me të drejtat e tyre, por edhe të jenë të gatshëm t’i adresojnë shkeljet e të drejtave të tyre, jo vetëm dhunën që mund të ushtrohet mbi baza gjinore, por edhe forma të tjera të dhunës”, ka thënë Nagavci.
Në kuadër të aktivitetit në kryeqytet u shpërndanë fletushka në të cilat qytetarët mund të informohen se si të raportojnë rastet e dhunës mbi baza gjinore. Fushata “16 ditët e aktivizmit” do të vazhdojë deri më 10 dhjetor.