Shtyrja e sërishme e dëshmisë së dëshmitarit kyç që e identifikoi të akuzuarin Milorad Gjokoviq si kryes të krimeve të luftës në Komunën e Pejës ka nxitur tensione në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën. Prokurori Ilir Morina, u shpreh i pakënaqur me shtyrjen dhe deklaroi se mbrojtja e edhe i akuzuari qëllimisht po e zvarrisin procesin. E trupi gjykues ia shqiptoi dy vërejtje Gjokoviqit gjatë seancës, pasi pengoi rrjedhën e saj
Që prej marsit të këtij viti dëshmitari Halit Gashi paraqitet në seanca, por vazhdimisht është shtyrë ballafaqimi i tij me pyetjet e mbrojtjes para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Mbrojtja e të akuzuarit dhe vetë i akuzuari Milorad Gjokoviq kanë ngritur vazhdimisht pretendime se nuk i kanë të gjitha dokumentet që i kanë kërkuar.
Njëjtë vepruan edhe gjatë seancës të së hënës.
Dëshmitari Halit Gashi, i cili ka dëshmuar se e ka parë të dyshuarin duke e vrarë viktimën Eset Morina gjatë luftës në Kosovë, beson se kjo është e qëllimshme nga ana e mbrojtjes, në mënyrë që rasti të dëmtohet.
“Krejt dokumentet e mjekëve po i grumbulloj në çfarë pozite shëndetësore po e ndjej veten. Prej 2017-s kur unë jam ballafaquar me të, një gjykim e kemi kryer (ballafaqimin v.j.) edhe para prokurorit. Tash ky e di ku është. Emri i këtij të pandehuri është përmendur në Hagë. Haga ia ka përmendur emrin më 2000 në zyrën e vendit, në Vitomiricë, filan fisteku, kështu e ashtu. Tash krejt qëllimi këtu është qysh, ku ta di unë, të mos dënohet”, ka thënë Gashi.
Prokurori Ilir Morina ka thënë se strategjia e mbrojtjes në këtë gjykim tashmë është e qartë: që të zvarrisë procesin penal sa më shumë që mundet.
“Prej marsit po maltretohet për ta dhënë një deklaratë dhe kjo është për shkak të mbrojtjes dhe të pandehurit. Fillimisht dy avokatët kanë bërë çmos edhe katër seanca t’i shtyjnë me qëllim që të mos e marrin në pyetje këtë dëshmitar. Më në fund, në seancën e kaluar mbrojtja e pati mundësinë për ta marrë në pyetje dhe nuk pati asnjë vërejtje e tash na doli strategjia që i pandehuri të ngrejë çështje që i ka krejt të pabaza”, ka deklaruar prokuori Morina.
Në seancën e së hënës i akuzuari ka thënë se i mungojnë dokumentet që i ka kërkuar, andaj nuk është i gatshëm për pyetje ndaj dëshmitarit Halit Gashi.
Por trupi gjykues ka thënë se e ka konfirmuar te Shërbimi Korrektues se i pandehuri i ka marrë të gjitha shkresat e kërkuara.
Ndërkohë, i akuzuari ka penguar edhe zhvillimin e rregullt të seancës, andaj ajo u përcoll me tensione.
Trupi gjykues i kryesuar nga Valon Kurtaj, ia shqiptoi dy vërejtje Gjokoviqit gjatë seancës. E dyta ishte vërejtja e fundit.
“Do të përjashtohet nga salla e gjykimit, nëse i drejtohet trupit gjykues, Prokurorisë, por edhe mbrojtësve të tij me gjuhë jo të përshtatshme apo duke e penguar rrjedhën e procedurës”, ka thënë Kurtaj.
Mbrojtësi i të akuzuarit Gjokoviq, avokati Vasilije Arsiq, ka mohuar se qëllimshëm po zvarritet procesi. Sipas tij, interesi i të akuzuarit është që procesi të ecë përpara, meqë është në paraburgim. Arsiq në shqyrtimin fillestar e pati politizuar ngritjen e aktakuzës ndaj Gjokoviqit, duke thënë se qëllimi është të ndalet kthimi i serbëve në Kosovë.
Gjokoviq akuzohet për krime lufte në Ozdrim dhe në fshatrat përreth të Komunës së Pejës.
Gjokoviqit vitin e kaluar iu ngrit aktakuzë edhe për pjesëmarrje në keqtrajtim, mbajtje të personave në kushte çnjerëzore, si dhe djegie të 62 shtëpive të familjeve Gashi, Shala dhe Krasniqi në Ozdrim e në fshatrat e tjera përreth.