Është shtyrë seanca e shqyrtimit fillestar, në rastin gjyqësor në të cilin akuzohen ish-drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ish-shefi i prokurimit në KEK, Ymer Dragusha, dhe avokati Isuf Zejna.
Ata akuzohen për veprat penale “keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Gjyqtari Rrahman Beqiri e shtyu seancën për datën 7 shkurt pasi njoftoi se nuk është kthyer dëshmia që njëri prej të akuzuarve, e i cili është edhe dëshmitar bashkëpunues, Ymer Dragusha, e ka marrë ftesën për t’u paraqitur në gjykatë.
Gjyqtari Beqiri tha po ashtu se për prezencën e të pandehurit Dragusha, gjykata i ka në shqyrtim të gjitha veprimet e mundshme, përfshirë edhe lëshimin e fletarrestit.
Prokuroria Speciale pretendon se shtetit iu shkaktuan humbje 37 milionë euro në periudhën kohore 2021-2023, si pasojë e kryerjes së tri veprave penale.
Në njërën pikë të aktakuzës thuhet se ish-kryeshefi i KEK-ut i ka ftuar dy kompani për vizitë në KEK, si dhe ua ka treguar specifikat e tenderit.
“I pandehuri Nagip Krasniqi, disa muaj para se të bëhet njoftimi në KRRPP për aktivitetin e prokurimit të cekur më lart, në mënyrë të kundërligjshme fton në takim përfaqësuesit e operatorit ekonomik ‘Ergotem S.A’ nga Greqia, me qëllim që të zhvillojnë një vizitë në vendpunishten e KEK-ut dhe në kundërshtim me rregullat e LPP-së i urdhëron zyrtarët përgjegjës të KEK-ut që t’ia dërgojnë specifikimet teknike të tenderit këtij operatori ende pa u bërë shpallja e tenderit”, thuhet në aktakuzë.
Po kësaj kompanie, sipas prokurorisë, dy të pandehurit ia përshtatën edhe garancinë që parashihej në tender.
“Pas përfundimit të procesit të vlerësimit të ofertave nga ana e komisionit vlerësues, operatori ekonomik ‘Ergotem S.A’ shpallet fitues i tenderit dhe ftohet për nënshkrim të kontratës, megjithatë para nënshkrimit të kontratës operatorin ekonomik ‘Ergotem S.A’ kërkon nga KEK-u ndryshimin e kushteve të tenderit, në veçanti lidhur me lartësinë e garancionit bankar që në dosje të tenderit ishte 50%, kurse operatori ekonomik kërkonte që të jetë 10%, për çka edhe të pandehurit Krasniqi dhe Dragusha më datën 21.03.2023, në zyrat e KEK-ut, mbajnë një takim me përfaqësuesit e operatorit ekonomik dhe kundërligjshëm e pranojnë kërkesën e operatorit ekonomik, ashtu që garancia bankare nga 50% zbritet në 15%”, thuhet në aktakuzë.
Kjo është aktakuza e dytë ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit. Në aktakuzën tjetër të ngritur për korrupsion, Krasniqi është deklaruar i pafajshëm.
Në shqyrtimin fillestar para Gjykatës Themelore në Prishtinë, prokurori i Prokurorisë Speciale, Dren Paca, ka thënë se i akuzuari e ka lejuar tregtimin e energjisë me kompaninë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” në kundërshtim me Ligjin për Energjinë dhe atë për Rregullatorin e Energjisë.