LAJMET E MBRËMJES

Shtetit i janë kërkuar më shumë fonde për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë

Një ditë pas largimit të avokatit kryesor të ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, janë shtuar kërkesat ndaj Qeverisë për të ofruar më shumë fonde për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë. Kërkesë për rritje të mbështetjes ka kërkuar edhe Fondacioni për mbrojtjen juridike të ish-presidentit Hashim Thaçi. Por, sipas Ministrisë së Drejtësisë, pagesa e ulët nuk është justifikim i avokatëve që të tërhiqen

Fondacioni “Përkrahja për mbrojtje juridike e Thaçit” u ka kërkuar institucioneve shtetërore mbështetje më të madhe financiare për nevojat e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili është duke u gjykuar në Hagë për krime lufte.

Në kërkesë thuhet se në rrethana të pamundësisë që Fondacioni të ofrojë mbështetje financiare, është urgjente dhe e domosdoshme mbështetja nga shteti.

“Mbështetja financiare e mbrojtjes juridike nuk është e thjeshtë, por mbi të gjitha, është një betejë juridike në të cilën është duke u mbrojtur legjitimiteti i luftës heroike. Fondacioni beson se ndarja e mjeteve financiare të kërkuara u shërben vetëm mundësive efektive për të mbrojtur integritetin e kauzës së drejtë të luftës së UÇK-së”, thuhet mes tjerash në letrën e fondacionit “Përkrahja për mbrojtje juridike e Thaçit”, adresuar krerëve të institucioneve.

Në janar është larguar avokati kryesor i Thaçit, Gregory Kehoe, nën arsyetimin për mospërmbushje të detyrimit financiar.

Të mërkurën edhe avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson, është larguar, por Specialja nuk ka treguar arsyen pse ka ndodhur kjo.

Emmerson, avokat ndërkombëtar dhe ish-raportuesi special i OKB-së për Kundërterrorizëm dhe të Drejtat e Njeriut, ishte emëruar në krye të mbrojtjes së Veselit në fund të vitit 2020.

Ai është i njohur për publikun kosovar, sidomos për proceset gjyqësore ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në kuadër të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Pas tërheqjes së avokatit Emmerson, njerëz të afërt me Veselin kanë theksuar se kjo është bërë shkaku i fondeve të pamjaftueshme që ndahen nga Ministria e Drejtësisë.

E, nëpërmjet një reagimi, Ministria e ka cilësuar të pavërtetë pretendimin. Sipas këtij institucioni, avokatët që tërhiqen mund të gjejnë justifikime të ndryshme, por pagesa e ulët nuk është një prej tyre.

“Deri më sot Ministria e Drejtësisë ka paguar një shumë totale prej 26,179,562 eurosh (njëzet e gjashtë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy euro) për mbrojtjen e personave që po mbahen në paraburgim... Avokati Ben Emmerson, i cili përfaqëson z. Kadri Veseli, ka përfituar nga Ministria e Drejtësisë një shumë prej 4,019,724.91 eurosh (katër milionë e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e njëzet e katër euro e nëntëdhjetë e një cent)”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

Kuvendi i Kosovës më 2015 miratoi amendamente kushtetuese si dhe një ligj që mundësoi themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë. Bashkë me të, deputetët miratuan edhe një ligj, sipas të cilit, çdo i akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.

Por, me një udhëzim administrativ të 2020-s, të nënshkruar nga ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Selim Selimi, përcaktohet se mbulimi financiar i avokatëve bëhet në bazë të tarifave të përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës; tarifave për avokatë në Holandë; tarifave të shtetit prej nga vjen mbrojtësi dhe tarifave për mbrojtje juridike të personit të akuzuar potencial të Dhomave të Specializuara.

Të gjithë të akuzuarit ose të autorizuarit e tyre duhet të plotësojnë një kërkesë zyrtare për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike. Në këto shpenzime mund të përfshihen të gjitha shërbimet që i kryen ekipi mbrojtës, duke përfshirë madje, edhe shpenzimet e zyrës dhe telefonatave.

Pos mbulimeve të shpenzimeve të përfaqësimit ligjor, shteti paguan edhe për të gjitha shpenzimet e vizitave të familjarëve të personave të akuzuar nga Dhomat e Specializuara. Në këtë kategori përfshihen bashkëshortët, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat.

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka nisur në prill të vitit 2023. Ata ishin arrestuar më 2020 dhe gjenden në paraburgim në Hagë që atëherë. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.