Në duar të partive opozitare ka mbetur çuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme. Por, dy nga tri partitë në opozitë nuk e përkrahin shpërndarjen e Kuvendit. Votë për këtë opsion ka edhe pushteti, por me kushtin që kërkesa të vijë e unifikuar nga të tria partitë opozitare.
Në një qorrsokak është vënë shkuarja e vendit në zgjedhje.
Partia në pushtet përkrah njërën nga opsionet dhe madje vetëm nëse ka kërkesë të unifikuar nga opozita.
E opozitarët assesi nuk janë duke u dakorduar për formën që gëzon më së shumti mbështetje, atë të shpërndarjes së Kuvendit.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje konfirmoi se nuk e mbështet PDK-në si të vetme në rrugën drejt shkuarjes në zgjedhje.
“Në rast se ka një unitet në grupet parlamentare të opozitës për shpërndarje të Kuvendit ne e mbështesim. Asnjëherë nuk kemi thënë se kemi frikë nga shkuarja në zgjedhje apo rikonfirmimi i mandatit tek sovrani, megjithatë nuk mund ta bëjmë këtë me vetëm njërin grup parlamentar të opozitës”, deklaroi shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari - Lila.
E për PDK-në afatet që vendi të shkojë në zgjedhje më 30 qershor apo 7 korrik, ashtu siç kanë propozuar, janë duke u afruar drejt fundit.
Shefi i deputetëve, Abelard Tahiri, ka bërë thirrje që nisma për shpërndarjen e Kuvendit të mbështetet edhe nga LDK-ja e AAK-ja e që më së largu, sipas tij, kjo duhet të bëhet më 30 maj.
“Në të kundërtën, fatkeqësisht nëse nuk do të arrijmë në një konsensus mes grupeve parlamentare, atëherë fatkeqësisht i bie që t’ia zgjasim jetën edhe 8 muaj të ardhshëm kryeministrit Kurti dhe kësaj qeverie”, theksoi Tahiri.
Por stoik në qëndrimin e tyre janë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovë.
Shefi i deputetëve të Aleancës, Besnik Tahiri, tha se përkrahja e pushtetit për shpërndarje është duke u synuar që dështimi i Qeverisë t`i faturohet Kuvendit.
“Njëfarë forme marrjen e fajit nga Kuvendi për dështimet e Qeverisë. Shpërbërja duhet të vijë vetëm atëherë kur arrijmë që të shkarkojmë një qeveri të dëmshme, vetëm atëherë kur dorëhiqet, por jo në asnjë situatë kur Kuvendi i Kosovës të marrë një përgjegjësi që nuk i takon”, tha Tahiri.
Qëndrimin e njëjtë me AAK-në e ndan edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ndryshe, gjatë kësaj jave janë caktuar dy seanca.
Të enjten fillimisht do të përfundojnë pikat e lëna në gjysmë nga java e shkuar e më pas do të fillojnë me seancë të re.
Derisa të premten do të debatohet për tre vjetët e Qeverisë Kurti.