LAJMET E MBRËMJES

Shoqata e transportit “Llapi” në grevë për shtrirjen e “Trafikut Urban” në Podujevë

Në shoqatën “Llapi”, nëpërmjet një njoftimi zyrtar, kanë thënë se situata është pasojë e veprimeve të Komunës së Prishtinës, e cila ka lëshuar linja të reja transporti “duke anashkaluar procedurat ligjore dhe të drejtat që u takojnë operatorëve ekzistues”. E, në Komunën e Prishtinës kanë thënë se nuk përbën shkelje të ligjit marrja e udhëtarëve në rrugët magjistrale nga autobusë të “Trafikut Urban”

Policia është detyruar që të intervenojë për ta liruar për qarkullim rrugën në fshatin Lupç të Podujevës, si pasojë e grevës së shoqatës së autobusëve që qarkullojnë në linjën Podujevë–Prishtinë, e cila i ka detyruar qytetarët që gjatë të enjtes të gjejnë alternativa të tjera për të udhëtuar drejt Prishtinës.

Drejtues të shoqatës së autobusëve “Llapi”, e cila i menaxhon linjat nga Podujeva për në Prishtinë, e kanë kundërshtuar, nëpërmjet pezullimit të përkohshëm të aktivitetit transportues të udhëtarëve, kalimin e autobusëve të “Trafikut Urban” në territorin e Komunës së Podujevës, deri në fshatrat periferike.

Në shoqatën “Llapi”, nëpërmjet një njoftimi zyrtar, kanë thënë se situata është pasojë e veprimeve të Komunës së Prishtinës, e cila ka lëshuar linja të reja transporti, “duke anashkaluar procedurat ligjore dhe të drejtat që u takojnë operatorëve ekzistues”.

“Këto veprime, sipas shoqatës, kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike duke rrezikuar ekzistencën e saj dhe vendet e punës për shumë persona që varen nga ky sektor”, është thënë në njoftim.

Besim Mustafa, kryetar i shoqatës së transportit “Podujevë-Prishtinë”, ka thënë se për pasojë kompanitë transportuese kanë punuar me humbje.

“I kanë lëshuar linjat Prishtinë–Vranidoll dhe Prishtinë–Lluzhan–Sharban. D.m.th. Lluzhan-Sharban ka hyrë edhe në territorin e Podujevës pa pëlqimin e Komunës dhe pa pëlqimin e shoqatës së transportit. Për atë arsye kemi dalë. Ne jemi duke punuar me humbje, të gjitha kompanitë, prej që i kanë lëshuar këta prej të parit, se nuk ka udhëtarë. Si të vijmë ne prej Luzhani e këndej, ne udhëtarë nuk kemi”, ka thënë ai.

E drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Podujevës, Bahri Selimi, ka thënë se janë duke u shikuar mundësitë për të bërë një zgjidhje mes dy komunave.

“Tash problemin e kemi, sepse kjo është linjë që lidh Komunën e Podujevës me Prishtinën, kemi problem me ta, por sigurisht që në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës duhet ta mendojmë një zgjidhje të përbashkët, sepse ndryshe ne nuk kemi mundësi t’u bëjmë zgjidhje udhëtarëve”, ka theksuar Selimi.

Në Komunën e Prishtinës kanë thënë se nuk përbën shkelje të ligjit marrja e udhëtarëve në rrugët magjistrale nga autobusë të “Trafikut Urban”.

“Drejtoria e Shërbimeve Publike garanton që linjat të jenë funksionale, sipas sistemit të ri dhe të cilat janë mirëpritur nga qytetarët, por që në rastin konkret nëse potencialisht apo eventualisht ka mundësi rishikimi – një gjë e tillë mund të konsiderohet”, kanë thënë në Komunë.

E në Ministrinë e Infrastrukturës (MMPHI) kanë bërë të ditur se në këtë rast Komuna e Prishtinës nuk e ka miratuar planin e transportit lokal, bazuar në faktin që ky dikaster nuk ka pranuar një kërkesë të tillë për shqyrtimin e ligjshmërisë së planit të transportit, siç parashihet me Ligjin për transportin rrugor.

“Duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, respektivisht Ligjin nr.04/L-179 për transportin rrugor, neni 6, është ne kompetencë të Komunës të hartojë përkatësisht të miratojë planin lokal të transportit, i cili nuk mundet të jetë në kundërshtim me rrjetin e linjave ndërurbane të miratuar nga MMPHI-ja. Në këtë kuptim vlen të theksohet fakti se nga informatat zyrtare që posedojmë në MMPHI, Komuna e Prishtinës nuk e ka miratuar planin e transportit lokal bazuar në faktin që ne nuk kemi pranuar një kërkesë të tillë për shqyrtimin e ligjshmërisë së aktit në fjalë (planit të transportit) të miratuar paraprakisht nga komuna, sikurse kërkohet me legjislacionin në fuqi”, kanë thënë në ministri.