Anëtarët e Shoqatës së të Plagosurve Civilë nga Minat kanë protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës, për të shprehur pakënaqësinë e tyre me shumën e ndarë për blerjen e protezave. Ata kanë kërkuar edhe rritje të pensionit që aktualisht është 136 euro, e që sipas tyre është e pamjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve elementare
Riad Latifi
Gëzimi për kthimin në vendlindje, pas disa muajsh qëndrimi në Maqedoni, Afet Vilës nga një fshat i Hanit të Elezit i zgjati pak. Pak pas hyrjes së trupave të KFOR-it në Kosovë, 25 vjet më parë, Vila kishte mësyrë fshatin e tij. Ai aty gjen vetëm mbetje të shtëpisë që ishte djegur nga forcat serbe. Për t’u bërë më keq për të, disa metra pranë shtëpisë shkel në një minë, shpërthimi i së cilës i shkakton dëmtime të rënda trupore. Jeta e tij nga ai moment merr kthesë tjetër, me shumë vështirësi, që thotë se nuk iu ndalën asnjëherë.
“Shtëpia ka qenë e djegur. 100 metra larg shtëpisë kom shkel në minë edhe më pas më kanë transferu në Shkup, katër javë kom nejt. Mas katër jave, kom nejt një muaj ne Prishtinë. Pastaj një muaj në Kllokot në Banjë, tani ma kanë maru protezën”, tha Vila.
Vila, të hënën bashkë me anëtarët e Shoqatës së të Plagosurve nga Minat ka protestuar para Qeverisë së Kosovës. Ai është ankuar për pamundësinë e mbijetesës me pensionin që thotë se është afro 120 euro.
‘’Me 120 euro rrnojna, djali punon kapak privat. Gjashtë anëtarë jena. Me ato pare, a me pagu rrym, a me hanger, a me pi. Kerkush sum nimon. Tash e kom ndrru protezën e dytë, pom vret. Gjashtë qorapa në kam i kam të vnume. Kur shkoj atje ne spital s’ka material, knej thojnë që të bajmë zgjidhje. Po lypum penzionet me naj rrit. Prej kur e ka rrit Ramush Haradinaj në 120 euro ma s’është rritur kurrë”, tha Vila.
Pensioni i vogël është vetëm një nga shqetësimet e personave me invaliditet. Ata janë ankuar më shumë për pamundësinë e ndërrimit të protezave që kanë kosto dhjetëra mijëra euro, dhe për politikën diskriminuese në raport me invalidët e UÇK-së.
‘’Invalidët e luftës, qeveria i ka përkrahur me 100% ndërsa invalidët civil i ka përkrahur me një shumë solide. Nevojat janë të njëjtat për të dy kategoritë. Sikurse që ka nevojë invalidi i luftës për protezë edhe na kemi nevojë për protezë. Ne nuk jemi kundër qeverisë e as invalidëve, por me 136 euro për një invalid civil të luftës, është shumë e pa përballueshme’’, tha Jeton Kelmendi, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së të Plagosurve Civilë.
Në Kosovë 117 persona kanë humbur jetën nga minat tokësore, ndërsa 450 persona kanë pësuar dëmtime trupore. Shoqata e të Plagosurve Civilë nga Minat ka paralajmëruar protestë tjetër, nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre.