Subjektet politike kanë marrë gjithsej 63 gjoba për shkeljet e bëra në fushatë. Partia me më së shumti gjoba është Lidhja Demokratike. Nëpërmjet 15 vendimeve të PZAP-së, ajo është obliguar të paguajë 93 mijë euro. E Gjykata Supreme, tek e cila mund të ankohen subjektet politike, ka ndryshuar vetëm 3 prej 63 vendimeve të PZAP-së
Gjithsej tri nga 63 gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, janë kontestuar nga Gjykata Supreme. Edhe ato nuk janë hequr të tëra, por janë përgjysmuar.
Për shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike janë gjobitur deri tash me një shumë totale prej 307 mijë e 400 euro.
Lidhja Demokratike është kampione për gjobat.
“Subjekti politik i cili është gjobitur me më së shumti vendime është Lidhja Demokratike e Kosovës me 15 vendime të cilat kanë rezultuar me totalin e gjobave të shqiptuara ndaj këtij subjekti politik në shumën prej 93,000.00 euro”, thuhet në njoftimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Subjektet politike janë ankuar diku në çerekun e 63 vendime të PZAP-së për gjobat, bënë të ditur në Gjykatën Supreme.
“Në Gjykatën Supreme janë 18 ankesa administrative kundër vendimeve të PZAP-se, nga to: 6 janë përfunduar, kurse në pritje janë: 1 ankesë nga AAK, 4 ankesa nga LVV, 4 ankesa nga LDK, 1 ankesë nga PDK dhe 2 ankesa nga Koalicioni për Familjen”, thuhet në njoftimin e Supremes.
Prej gjashtë ankesave të shqyrtuara në Supreme, tri janë aprovuar pjesërisht e të tjerat janë refuzuar.
Kësisoj, me vendim të kësaj gjykate, LDK-së i janë përgjysmuar dy gjoba që lidhen me mbajtje të tubimeve në institucione publike pa leje, e AAK-së i është përgjysmuar një.
Sipas Supremes, këto vendime u morën për shkak se gjobat e vendosura nga PZAP-ja ishin të larta, pasi ka konsideruar se përpos mosposedimit të autorizimit përkatës, organizimi i tubimeve nuk ndikon në proces zgjedhor.
Gjykata ka refuzuar dy ankesa të LDK-së dhe një të AAK-së, me arsyetimin se vendimet e PZAP-së ishin të drejta dhe të ligjshme.
Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, tregon arsyen pse Supremja nuk i ka marrë në konsideratë shumicën e ankesave të subjekteve politike.
“Provat që po deponohen në lidhje me shkeljet gjatë fushatave zgjedhore janë prova të mbështetshme, janë prova të faktuara dhe partitë e kanë domosdo të qartë që çfarëdo ankimimi që bëjnë në Gjykatë Supreme pothuajse ankesat e tyre do të refuzohen...Shkaku i dytë unë besoj se nëse ka eventualisht ndonjë ankesë në Gjykatën Supreme ajo ankesë bëhet për shkak të lartësisë së gjobës dhe jo assesi për shkak të vendimit të pabazuar në dëshmi a prova”, ka thënë Bugaqku.
Të martën, PZAP-ja ka trajtuar gjashtë ankesa që lidhen me fushatën e subjekteve politike. Katër nga to i ka hedhur poshtë, ndërkaq i ka shqiptuar gjobë 5 mijë euro Lëvizjes Vetëvendosje e 2 mijë euro Partisë Liberale Egjiptiane.