LAJMET E MBRËMJES

Shkaku i avokatëve, bllokohet procesi gjyqësor për vrasjen e Agonis Tetajt

As pas gati katër vitesh që nga vrasja e Agonis Tetajt, procesi gjyqësor nuk pritet të marrë epilog të shpejtë. Fillimisht Oda e Avokatëve, e tani avokati, që i është caktuar të akuzuarit Shaban Gogaj, janë kthyer në bllokues të procesit gjyqësor

Një avokat është bërë shkak që as të mërkurën, të mos zhvillohet procesi gjyqësor për vrasjen e të riut Agonis Tetaj.

Asdren Mekaj, ishte caktuar sipas detyrës zyrtare avokat mbrojtës i Shaban Gogajt, por për shkak të kundërshtimeve nga klienti i tij, ai ka vendosur të tërhiqet nga rasti. Për pasojë, nuk është paraqitur në seancë, veprim, që i ka kushtuar me gjobë prej 250 eurosh.

Seanca e radhës për vrasjen e Agonis Tejat, u shty për shkak të mungesës së avokatit, derisa kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, lexoj shkresën, që e kishte pranuar në mëngjes nga ai.

“Thotë: ‘unë kam hasur në një pengesë absolute që më pamundëson pjesëmarrjen në gjykim, dhe rrjedhimisht mbrojtjen e të akuzuarit Shaban Gogaj, dhe kjo lidhte me mungesën e vullnetit të bashkëpunimit te klientit të tij, që të jem mbrojtës i tij’” ka thënë kryetarja e trupit gjykues.

Gjyqtarja Husaj-Rugova, tha se kishte biseduar me avokatin e caktuar dhe i kishte premtuar se do të merrte pjesë në seancë pavarësisht mospajtimit të Shaban Gogaj e familjarëve të tij.

“Unë si bartëse e kësaj lënde kam pasur disa kontakte me avokatin Asdren ku i njëjti ka qenë në zyre. Kjo ka qenë për shkak të sigurimit, të kushteve të seancës së sotme dhe i njëjti ka premtuar që do të paraqitet në gjykatë pavarësisht asaj se a do ta pranojë apo jo. I njëjti ka premtuar se do të vijë edhe do të paraqitet në gjykatë për ta plotësuar kushtin ligjor”, ka thënë ajo.

Familjarë e të ndjerit, nuk kanë dashur të flasin, por nga salla e gjykimit janë larguar me lot në sy.

Më herët ata kanë paralajmëruar se nëse vazhdohet kështu, do t’i bojkotojnë seancat, në shenjë proteste ndaj institucioneve të drejtësisë.

Trupi gjykues do t’i drejtohet edhe njëherë Odës së Avokatëve (OAK) për ta caktuar një avokat tjetër, pavarësisht kundërshtimeve të të pandehurit.

Telashet me avokatin mbrojtës të Gogajt, e kanë përcjellë procesin gjyqësor që nga qershori i vitit të kaluar, kur nga rasti ishte përjashtuar avokati Besnik Berisha.

Procesi gjyqësor për vrasjen e Agonis Tetajt, u zvarrit për rreth 1 vit, nga vendimi i Këshillit Drejtues së OAK-ut, me të cilin kërkonin kthimin e Berishës, e ia kishin ndaluar avokatëve të tjerë që ta merrnin rastin.

Pas përjashtimit të avokatit mbrojtës të Shaban Gogajt, trupit gjykues në Pejë, disa herë kishte caktuar avokatë të tjerë pa ndihmën e OAK-ut, por të cilët nuk iu ishin përgjigjur ftesës asnjëherë, për çka edhe disa prej tyre janë gjobitur.

Për të shfuqizuar vendimin e OAK-ut, me të cilin “kërcënonte” avokatët me tërheqje licence, nëse pranojnë përfaqësimin e Gogajt, u desh reagimi i të gjitha institucioneve të Kosovës. Por, i suksesshëm rezultoi vetëm paralajmërimi i Këshillit Gjyqësor për shkëputjen e memorandumit të bashkëpunimit.

Shaban Gogaj akuzohet për vrasjen e Agonis Tetajt, e cila ndodhi në shtator të vitit 2018. Rasti është kthyer në pikën zero, pas reagimit të babait të viktimës, i cili kishte alarmuar institucionet dhe ambasadat në Kosovë, kur prokurori i rastit, gjatë fjalës përfundimtare kishte vendosur që ta rikualifikonte veprën penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia. Në një video të çastit të vrasjes, që ishte publikuar atëkohë, shihej Gogaj tek e drejton revolën dhe më pas shkrep në drejtim të Tetajt.