95.3 për qind e qytetarëve të anketuar e shohin liberalizimin si mundësi për të udhëtuar pa viza, derisa vetëm 2.5 për qind konsiderojnë se përmes liberalizimit kanë të drejtë pune kudo në BE. Kjo e dhënë është përfshirë në analizën e pulsit publik mbi efektet e liberalizimit, publikuar të hënën nga UNPD-ja.
Shëndetësia dhe arsimi janë dy sektorët që janë ndikuar nga liberalizimi i vizave, thuhet në Raportin e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë.
Të hënën UNDP-ja ka publikuar analizën e pulsit publik mbi efektet e liberalizimit të vizave në migrim.
Sipas gjetjeve të kësaj analize të arritur nga diskutimi me bizneset e institucionet, infermierët e profesionistët e tjerë të rinj janë duke kërkuar mundësi jashtë vendit për paga e kushte më të mira të punës.
“Sektori i kujdesit shëndetësor po përballet me mungesën e punëtorëve të kualifikuar, veçanërisht në kujdesin dytësor dhe terciar. Kjo ka çuar në radhë të gjata, shërbime të vonuara dhe një mbështetje te profesionistët më të vjetër që së shpejti mund të dalin në pension…Kushtet e këqija të punës, papunësia, paga e ulët dhe mundësitë e kufizuara të zhvillimit profesional janë faktorët kryesorë nxitës për emigracionin në të gjithë sektorët”, thonë gjetjet e UNDP-së.
Mes të tjerash, sipas raportit, 95.3 për qind e 1 mijë e 306 të anketuarve e lidhin saktë liberalizimin e vizave, derisa 2.5 për qind e tyre besojnë që ajo u jep të drejtën për të punuar në BE.
“Pastaj kemi vazhduar dhe kemi pyetur respodentët nëse konsiderojnë të migrojnë në BE pas liberalizimit të vizave, ku 64 për qind kanë deklaruar se nuk e konsiderojnë që të shpërngulen në Evropë. Sidoqoftë, kemi 9.8 për qind të respodentëve të cilët kanë deklaruar se planifikojnë që të shpërngulen”, tha Alisa Hasani, menaxhere e projektit, USAID.
Sipas analizës së UNDP-së, 32 për qind e personave të intervistuar kanë deklaruar se kanë udhëtuar pas liberalizimit të vizave, derisa Gjermania ka qenë destinacioni më i frekuentuar nga ta.