LAJMET E MBRËMJES

Shembja e dheut lë të vdekur një punëtor

Një person ka vdekur dhe një tjetër ka mbetur i lënduar pas shembjes së dheut në një vendpunishte në lagjen “Veternik” në Prishtinë.

Në Polici bënë të ditur se kanë marrë informacionin rreth orës 13:00, se dy persona janë zënë nga dheu që është shembur afër rrugës “Gjilani”.

“Nga informacionet e para është bërë e ditur se njëri nga ta është nxjerrë nga aty dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK, ndërkaq fatkeqësisht tjetri, mashkull, rreth 40 vjeç, është konstatuar pa shenja jete nga ana e mjekëve emergjentë”, thuhet në njoftimin e Policisë. “Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me prokurorin e shtetit, si dhe mekanizmat e tjerë të nevojshëm po vijon punën për sqarimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”.

Zëvendëskomandanti i zjarrfikësve në Prishtinë, Abdusamed Shkodra, ka thënë se ekipet e tyre intervenuan brenda një kohe të shkurtër për të nxjerrë dy punëtorët e zënë nga dheu.

“Ekipi i zjarrfikësve e kanë nxjerrë njërin punëtor me të mbërri në vendin e ngjarjes, për një kohë shumë të shkurtër. Kuptohet punëtorin e parë e kanë nxjerrë të gjallë nga rrënojat, kurse edhe i dyti është nxjerrë më vonë nga rrënojat, por pa shenja jete”, ka thënë Shkodra. “Zjarrfikësit vetëm ua kanë dorëzuar ekipeve mjekësore, të cilët e kanë konstatuar edhe vdekjen e personit të dytë”.

Personi i lënduar është duke u trajtuar në Klinikën Emergjente në QKUK. 
KOHA ka mësuar se gjendja e tij shëndetësore është stabile, ndërsa mjeku kujdestar, Avdush Bajgora, përmes telefonit ka thëne se pacienti është duke iu nënshtruar ekzaminimeve, porse nuk ka dhënë detaje.

Në vendin e ngjarjes disa orë më pas doli edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Ai bëri të ditur se vetëm gjatë tremujorit të parë të vitit me fatalitet në vendin e punës kanë vdekur 8 punëtorë.

“Ne sot e kemi rastin e tetë brenda tre muaj dite që kemi humbur jetët e njerëzve dhe merreni me mend sa jemi aktivë në ruajtjen e jetës së njerëzve. Ky rast sot ka ndodhur e pasnesër më nuk merret askush”, ka thënë Azemi. “Kështu nuk guxon të ndodhë, por ndodh vetëm tek ne”. 
Gjatë dhjetë vjetëve në Kosovë kanë humbur jetën 237 punëtorë në vendet e tyre të punës, kurse janë lënduar 1 mijë e 780 punëtorë. Shumica e këtyre rasteve kanë ndodhur në sektorin privat.
Sindikatat e të drejtave të punëtorëve vazhdimisht kanë shprehur shqetësim për shkallën e lartë të lëndimeve dhe vdekjeve në sektorin e ndërtimtarisë.