Rruga kryesore Gjakovë-Klinë, në segmentin te fshati Volljakë, ka qenë e pakalueshme gjatë gjithë ditës së shtunë, si pasojë e shembjes së dheut. Pas bllokadës, qytetarët janë detyruar që të gjejnë rrugë alternative për kalim. Punimet për ta larguar dheun kanë nisur ndërsa autoritetet kanë theksuar se shpejt së paku njëra korsi do të bëhet e kalueshme
Copëza të asfaltit të çarë kanë mbetur në sipërfaqe të rrugës kryesore, e cila i lidh qytetin e Gjakovës me atë të Klinës, si pasojë e shembjes së dheut që ka ndodhur gjatë mesnatës të së shtunës.
Ky aks rrugor ka qenë i pakalueshëm gjatë gjithë ditës së shtunë, ndërsa përpjekje për ta liruar atë për qytetarët ka bërë një kompani kontraktuese. Për këtë qëllim, gjatë ditës dy ekskavatorë dhe pesë kamionë kanë qenë të vendosur në vendin e ngjarjes, duke punuar në largimin e dheut që ka bllokuar rrugën në fshatin Volljakë. E ekipet që kanë punuar në terren kanë paralajmëruar se për shkak të lagështisë pritet që përsëri të ketë rrëshqitje të dheut.
Situata ka krijuar vështirësi për kalimin e rrugës me automjete.
Petrush Prenka, i cili ka udhëtuar nga Prishtina me veturë, është detyruar që të kthehet mbrapa e të përshkojë rrugë më të gjatë për të mbërritur në Gjakovë.
“Tash më duhet të kthehem prej këtu dhe duhet që të shkoj kah Peja dhe më pas në Gjakovë”, ka thënë ai.
Shembja e dheut ua ka pamundësuar edhe nxënësve të një shkolle nga Vitia, që ta vizitojnë një nga pikat e itinerarit të paraparë për ekskursion.
“Na njoftuan pak më herët se nga rrëshqitja e dheut është bllokuar rruga, mirëpo ne do të gjejmë alternativa ose do të ecim në këmbë ose do të shohim ndonjë mundësi tjetër”, ka thënë Naim
Metallari, arsimtar i biologjisë, që ka shoqëruar nxënësit e shkollës për në ekskursion.
E për të mbërritur në destinacionin e synuar, qytetari Qamil Gashi bllokadën e ka kaluar në këmbë.
“Tashti po shkojmë në këmbë këndej. Kemi ardhur të shikojmë se çka kanë bërë këtu, çka kanë hequr dhe, edhe dalim tashti këtë anë këndej me kerr, për të pritur për të hyrë në veturë”, ka thënë ai.
Përfaqësues të institucioneve përgjegjëse kanë theksuar se shembja e dheut dhe çarja e asfaltit kanë ndodhur si pasojë e lëvizjes nga lart të dheut në sipërfaqe prej 150 metrave në anën e djathtë të rrugës.
“Do ta bëjmë të pamundurën që rruga të jetë e sigurt. Ne nuk do ta mbyllim rrugën në tërësinë e vet. Unë po shpresoj që sot, brenda ditës, do të jetë një korsi e vogël aktive. Ditëve në vijim do ta vendosim by-passin mbi hekurudhën ekzistuese në mënyrë që deri në përfundim të projektit rruga të ketë sigurinë e vet”, ka bërë të ditur Qamil Feka, udhëheqës i departamentit për menaxhimin e rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës.
Ai ka folur rreth dyshimeve të para, teksa ka thënë se do të ketë edhe ekspertizë për të kuptuar shkaqet e shembjes.
“Fillimisht ka ndodhur si rezultat i..., informacionet e para janë reshjet e shiut dhe ujërat nëntokësore si dhe kategoria e dheut e cila në përbërjen e vet nuk ka asnjë gur kurrkund dhe, pastaj fillimi i gërmimeve e bën të veten”, ka theksuar ai.
E përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i shfrytëzojnë rrugët alternative deri në sanimin e plotë të rrugës.