LAJMET E MBRËMJES

Shabani dhe Qerimi deklarohen të pafajshëm lidhur me akuzat për spiunazh

Dy të akuzuarit për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, i kanë mohuar akuzat për spiunazh. Në shqyrtimin fillestar për rastin e parë të gjyqësor të spiunazhit që nga shpallja e pavarësisë, i akuzuari Qerimi e pranoi akuzën për armëmbajtje pa leje

Në rastin e parë gjyqësor për spiunazh qëkur Kosova e ka shpallur pavarësinë, dy të pandehurit i kanë mohuar akuzat e Prokurorisë Speciale. Ish-doganieri Bedri Shabani dhe ish-polici Muharrem Qerimi, të akuzuar për spiunazh në favor të shërbimeve të Serbisë, janë deklaruar të pafajshëm të hënën.

“Plotësisht jam i pafajshëm”, ka thënë Shabani. 

Edhe Qerimi ka mohuar të jetë i përfshirë në aktivitetet për çfarë akuzohet. 

“Nuk e pranoj fajësinë për veprën penale spiunazhi, kurse për armëmbajtje pa leje e pranoj fajësinë”, ka deklaruar Qerimi. 

Gjyqtari Rrahman Beqiri vendosi të aprovojë pranimin e fajësisë për mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar të armëve nga Qerimi, dhe ta shpallë dënimin për këtë vepër penale me rastin e shpalljes së aktgjykimit për spiunazh. 

“Nxjerr këtë aktvendim: shtyhet shpallja e aktgjykimit për të akuzuarin Muharrem Qerimi për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi i të KPRK-së, deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor në këtë çështje penale”, ka theksuar Beqiri. 

Gjyqtari Beqiri i udhëzoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre për ankesë brenda 15 ditësh lidhur me aktakuzën dhe provat mbi të cilat mbështetet aktakuza. 

Prokuroria Speciale pretendon se Shabani dhe Qerimi mblodhën informata që do t’i shërbenin BIA-s së Serbisë për ta ndërtuar një narrativ të rremë për një rrjet të trafikimit të organeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës. 

Qerimi në bazë të aktakuzës i ka dërguar zyrtarit të BIA-s Sërgjan Rosiq edhe të dhëna të klasifikuara që lidheshin me veprimtarinë e Prokurorisë Speciale. 

E Shabani, në bazë të pretendimeve të prokurorisë, përveç Rosiqit, pati kontakt edhe me një zyrtar tjetër, Bogolub Janiçeviq, që kishte rol udhëheqës në masakrën e Reçakut. 

Të pandehurit, sipas aktakuzës, kanë përdorur celularët dhe postën elektronike për të dërguar të dhëna, e po ashtu edhe janë takuar fizikisht me zyrtarët e BIA-s në territorin e Serbisë.

Paragrafi 3 i nenit 124 të Kodit Penal parasheh që personat që hyjnë në shërbim të huaj të inteligjencës, mbledhin të dhëna apo e ndihmojnë shërbimin e shtetit të huaj në ndonjë mënyrë, dënohen minimalisht me pesë vjet burgim.