LAJMET E MBRËMJES

Serbia liron një shqiptar nga Kosova, pesë të tjerë mbetën në paraburgim

Sadik Duraku, shtetas i Kosovës dhe Britanisë së Madhe, është liruar nga paraburgimi në Serbi, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Kjo ministri ka vlerësuar se ndalime të tilla janë arbitratitet dhe shkelje e të drejtave të njeriut që Serbia ua bën shtetasve të Kosovës. Në burgje të Serbisë po mbahen edhe pesë shtetas të tjerë të Kosovës, me pretendimin se kanë kryer krime lufte

Pas rreth gjashtë muajsh paraburgim, kosovari Sadik Duraku, i arrestuar nga Serbia nën dyshime për krime lufte, është liruar të martën.

Në njoftimin lidhur me lirimin e tij lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thuhet po ashtu se ndalime të tilla janë arbitratitet dhe shkelje e të drejtave të njeriut që Serbia ua bën shtetasve të Kosovës. 

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njofton që është liruar z. Sadik Duraku, shtetas i Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe, i cili ishte arrestuar më 17 prill 2024 në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi në Batrovci, nën akuzat gjoja për krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë në vitin 1999. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të vazhdojë të ndjekë nga afër rastet e tilla duke njoftuar edhe bashkësinë ndërkombëtare rreth veprimeve arbitrare dhe destruktive të Serbisë të cilat bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Duraku ishte arrestuar në ditën kur Serbia në shenjë proteste ndaj rekomandimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësim të Kosovës mbajti të bllokuar qindra udhëtarë që po shkonin drejt Kosovës. 

Pavarësisht se Serbia ka liruar njërin prej shqiptarëve të dyshuar për krime lufte që ka edhe shtetësi britanike, ajo po vazhdon t’i mbajë pesë qytetarë të tjerë të Kosovës, sipas të dhënave të publikuara nga MPJD-ja. 

Tri ditë para lirimit të Durakut, Ministria e Brendshme e Serbisë, ka njoftuar se e ka arrestuar një shqiptar të Kosovës me inicialet M.I, nën dyshime për krime lufte. Edhe në korrik të këtij viti MUP-i i Serbisë ka njoftuar se e ka arrestuar një 56 vjeçar me inicialet F.K. 

Sidoqoftë, emra nuk kanë publikuar as institucionet e Serbisë e as ato të Kosovës.

Burime të KOHËS kanë thënë se Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi nuk i janë ofruar as emrat e të paraburgosurve.

Por më gjatë sesa F.K dhe M.I në paraburgim, në Serbi, nën dyshime për krime lufte janë Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj dhe Tefik Mustafa. Mustafa u arrestua në qershor e Dakaj në janarin e sivjetmë. 

E më së gjati në paraburgim është Nezir Mehmetaj, i cili ishte arrestuar më 3 janar të vitit 2020. 
Ai akuzohet për pjesëmarrje në vrasje, megjithatë, deri më tani nuk ka pasur ndonjë raportim se ka pasur ndonjë dëshmitar që e ka fajësuar atë për vrasje në fshatin Rudicë të Klinës. 

Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi e ka kritikuar shtetin për arrestime për nevoja të politikës ditore. Sipas të dhënave të kësaj organizate, shumica e shqiptarëve që janë arrestuar për krime lufte në Serbi që nga viti 2001 janë liruar nga gjykatat serbe.