LAJMET E MBRËMJES

Serbët e veriut kundërshtojnë ndalimin e importit të mallrave serbe e konfiskimit të tyre

Në Mitrovicë të veriut dhjetëra qytetarë serbë protestuan kundër ndalimit të importit të mallrave nga Serbia në Kosovë dhe konfiskimit të tyre. Kërkuan që aksionet e tilla të sekuestrimit të mallrave serbe të ndërpriten.

Dhjetëra qytetarë serbë të veriut, shumica afaristë protestuan në veri të Mitrovicës të hënën, kundër ndalimit të importit të mallrave nga Serbia në Kosovë dhe konfiskimit të tyre.

Protestuesit nënshkruan një peticion, përmes të cilit kërkojnë nga institucionet kosovare lejimin përsëri dhe pa pengesë të këtyre mallrave në Kosovë.

Dushan Gashiq, u shpreh se dëshirojnë që aksionet e tilla të sekuestrimit të mallrave serbe të ndërpriten dhe gjendja të kthehet sikur para muajit qershor.

“Ne dëshirojmë që aksionet e njëanshme të konfiskimit të mallrave të ndërpriten. Duam që gjendja të kthehet sikur para muajit qershor kur është marrë një vendim i tillë për mallrat me origjinë serbe. Dua të potencoj se aksionet e tilla nuk po ju pëlqejnë as qytetarëve në jug të Ibrit. Para së gjithash e kam fjalën për shqiptarët”, tha Gashiq

Në shenjë pakënaqësie me vendimin, të gjitha dyqanet në veri të Mitrovicës janë mbyllur nga ora 12:00 deri në 14:00.

Protesta e cila zgjati afro një orë, përfundoi e qetë e pa incidente.

Vendimi i Qeverisë për të ndaluar hyrjen e kamionëve me targa serbe dhe importin e mallrave me origjinë nga Serbia u bë për arsye “sigurie”. Ky vendim ishte një përgjigje ndaj arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.