LAJMET E MBRËMJES

S’do të ketë gjykim në mungesë ndaj grupit të Radoiçiqit pa vendosur Supremja

Një ditë pasi është bërë një vit nga sulmi në Banjskë, ka nisur gjykimi ndaj përgjegjësve. Seanca fillestare është shtyrë, e në të janë paraqitur vetëm tre nga 43 të akuzuarit për pjesëmarrje në sulm. Ata ishin arrestuar, ndërkaq të tjerët ndodhen në Serbi. Prokurori insiston që gjykimi në mungesë duhet të zhvillohet edhe për 40 të dyshuarit për pjesëmarrje në sulm dhe për biznesin dhe pronarin e tij, që dyshohen për shpëlarje parash. Por gjyqtari tha se për këtë pret të deklarohet Gjykata Supreme

Është shtyrë për 9 tetor seanca fillestare ndaj tre prej 45 të akuzuarve për sulmin terrorist që ndodhi një vit më parë në Banjskë të Zveçanit.

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në krye me Arben Hotin, mori vendimin për shtyrje në seancën e së mërkurës, pasi mbrojtja e të akuzuarve Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq, si dhe Blagoje Spasojeviq kërkoi kohë shtesë për leximin e shkresës së lëndës dhe të provave të Prokurorisë.

“Gjykata këtë seancë do ta shtyjë në kohë të arsyeshme dhe merr aktvendim që seanca e sotme të ndërpritet. E njëjta do të shtyhet për datën 9 tetor të këtij viti, nga ora 09:30”, ka thënë Hoti.

Lubomir Pantoviq, avokat i të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, kërkoi i pari që seanca të ndërpritet.

“Nuk kam mundësi që në mënyrë adekuate të konsultohem me të mbrojturin tim, posaçërisht lidhur me deklarimin për fajësi apo pafajësi që është sot, si pikë e rendit të ditës”, ka thënë Pantoviq.
Atij iu bashkuan edhe Milosh Deleviq, avokat i Vladimir Toliqit, si dhe Jovana Filipoviq, mbrojtëse e të akuzuarit Dushan Maksimoviq.

Avokati i Vladimir Toliq, Milosh Deleviq, pretendoi se disa dokumente që i ka pranuar në mënyrë elektronike nuk i janë hapur.

“Për një ditë e gjysmë nuk kemi mundur ta lexojmë as aktakuzën e lëre më shkresat e lëndës. Ju lus për më tepër kohë që të përgatitemi dhe të udhëzojmë klientët në lidhje me deklarimin e fajësisë”, ka thënë Deleviq.

E Jovana Filipoviq, avokate e të akuzuarit Dushan Maksimoviq tha se klienti i tij do të deklarohet i pafajshëm, por pavarësisht kësaj, tha se nuk pajtohet që seanca të vazhdojë.

“Sa i përket klientit tim, ai do të deklarohet që është i pafajshëm, mirëpo konsideroj që do të shkelen rregullat nëse vazhdohet me seancën, përderisa të akuzuarit nuk e kanë marrë aktakuzën. Pra, pajtohem me propozimet e kolegëve të mi”, ka thënë Filipoviq.

Pas deklarimeve të tyre, prokurori i rastit, Naim Abazi, tha se kërkesa është e papranueshme për Prokurorinë.
“Kemi të bëjmë me lexim të aktakuzës dhe me dy çështje kryesore lidhur me pranimin ose mospranimin e fajësisë. Nëse mbrojtja planifikon që të pandehurit do ta pranojnë fajësinë, do të jem dakord që kjo seancë të shtyhet”, ka thënë Abazi.

Vërejtje shprehu edhe avokati i palës së dëmtuar, Arianit Koci.

“Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Kërkesa e tyre për ta marrë dosjen fizike është e pabazuar në ligj”, ka thënë Koci.

Prokurori Abazi theksoi se është krijuar mundësia që për 41 individët e tjerë dhe një palë të përfshirë në aktakuzë, të mbahet gjykim në mungesë. 

“Siç e dini Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve në fjalë dhe ndaj tre të pandehurve që gjenden në paraburgim. Meqenëse kemi vetëm tre të pranishëm, ju njoftoj se gjatë hetimit nuk ka qenë e mundur, gjykata duhet të shqyrtojë mundësinë që ky gjykim të mbahet në mungesë të të akuzuarve”, ka thënë ai.

Por këtë e kundërshtoi avokati Pantoviq.

“Gjykimi në mungesë është i pamundur dhe nuk ekzistojnë propozime procedurale, mirëpo e lëmë që gjykata të vendosë për këtë propozim”, ka thënë Pantoviq.

E avokati Koci theksoi se për gjykimin në mungesë duhet drejtuar te Gjykata Supreme.

“Shkalla e parë duhet t’i drejtohet Gjykatës Supreme për interpretimin juridik lidhur me këtë çështje, pasi në Kosovë ende nuk ka praktika të tilla”, ka thënë Koci.

Gjyqtari Hoti tha se ndaj të pandehurve do të procedohet ndaras prej atyre të cilët nuk janë të siguruar për t’u sjellë në seancë, vetëm pasi të deklarohet Gjykata Supreme.

Më 11 shtator, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 43 serbëve të dyshuar për pjesëmarrje në sulm. Ata i ka akuzuar për kryerje të veprës terroriste dhe për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Krahas tyre, është akuzuar edhe një biznes dhe pronari i këtij biznesi për shpëlarje parash.

Sipas aktakuzës, qëllimi i grupit të udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ishte shkëputja e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkimi i saj me Serbinë.

Të akuzuarit më 24 shtator të vitit të shkuar kanë sulmuar policinë në Banjskë të Zveçanit, duke e lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. 

Sulmi në Banjskë përbën cenimin më të rëndë ndaj sigurisë së Kosovës, prej se është çliruar nga Serbia, në qershorin e 1999-s, dhe ka alarmuar se siguria ndodhet nën kërcënim, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.