SBASHK-u ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, një ditë pasi ai vendosi që t’ua ndalë pjesërisht pagesat punonjësve publikë që kanë hyrë në grevë. Sindikalistët kanë paralajmëruar padi tjetër ndaj ministrit, nëse pagat nuk ekzekutohen deri të premten.
Një ditë pasi ministri i Financave, Hekuran Murati, mori vendim që të ekzekutojë vetëm pjesërisht pagat e muajit gusht për të gjithë ata që i janë bashkuar grevës së SBASHK-ut, sindikalistët dorëzuan kallëzim penal kundër Muratit.
Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka arsyetuar veprimin e ndërmarrë.
“SBASHK-u e ka përgatitur dhe dorëzuar në organin gjegjës, në Prokurori kallëzimin penal ndaj Hekuran Muratit, e tash ai kur të thirrin le t’i qet letrat dhe le t’i tregojë dikujt se paska të drejtë ai thuajse janë paratë e tij”, ka thënë Jasharaj.
E në rast se pagat e mësimdhënësve nuk ekzekutohen deri të premten, përfaqësues të SBASHK-ut kanë paralajmëruar padi shtesë ndaj ministrit të Financave.
“Nëse pagat nuk ekzekutohen gjatë ditës së sotme dhe gjatë ditës së nesërme, ne do të angazhojmë një ekip të avokatëve dhe do të bëjmë padi shtesë për ministrin Murati ashtu si ia kemi bërë dje, një kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit për shkak të ndërhyrjes në grevë. Qëllimi i ministrit Murati është thyerja e grevës”, ka deklaruar koordinatori i SBASHK-ut, Ymer Ymeri.
Kallëzimi penal është bërë një ditë pasi Murati vendosi që t’i ndalonte pagat për punëtorët që janë në grevë që nga 25 gushti.
Ai bëri të ditur se është bërë ekzekutim i pjesshëm i pagave për muajin gusht, për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.
Ndërsa, sipas një opinioni ligjor të Departamentit ligjor të Ministrisë së Financave dhënë Thesarit të Shtetit ditë më parë, në një grevë të ligjshme duhet të respektohen të gjitha kushtet procedurale e materiale dhe në të kundërtën ajo do të cilësohet si e paligjshme.
Në dokument trajtohet edhe çështja e pagave. Aty theksohet se ndalesa e pagesave të atyre që kanë hyrë në grevë bazohet në legjislacionin në fuqi.
Përveç punëtorëve të arsimit, që nga 25 gushti në grevë janë edhe shërbyesit civilë në shumë institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.