Nga java e ardhshme Sindikata e Bashkuar e Arsimit do të fillojë me veprime sindikale. Mësimdhënësit fillimisht do të protestojnë për të kërkuar rritje të pagave e për të shprehur pakënaqësinë për mosnënshkrimin e kontratës kolektive. Nëse nuk realizohen kërkesat e tyre, Sindikata paralajmëron organizimin e grevës
Sindikata e Bashkuar e Arsimit do të protestojë javën e ardhshme para tri institucioneve - Ministrisë së Arsimit, Qeverisë dhe Kuvendit.
Kryesindikalisti i mësimdhënësve, Rrahman Jasharaj, ka thënë se para Ministrisë do të shprehin pakënaqësitë për mungesë të dialogut social për nënshkrimin e kontratës kolektive. E para ekzekutivit dhe ligjvënësve, për mosrritjen e vlerës së koeficientit prej 30 për qind, përkatësisht për Ligjin për skemat pensionale që financohen nga shteti.
Nëse këto nuk realizohen, SBASHK-u paralajmëron nisjen e grevës.
“Veprimet sindikale nuk mund t’i ndali, por do të insistoj që të shkojmë në veprime të përshkallëzuara duke e respektuar Ligjin e Grevave, në greva njëorëshe, pastaj dyorëshe, e kështu me radhë”, ka thënë Jasharaj.
Vendimi për veprime sindikale vjen një muaj para fillimit të fushatës elektorale. Më herët Sindikata është kritikuar për nënshkrimin e marrëveshjeve gjatë periudhës së fushatave. Më 2017 patën nënshkruar me koalicionin e atëhershëm, PDK-AAK-Nisma një memorandum mirëkuptimi për mbështetjen e tyre nëse ata e marrin udhëheqjen e vendit.
Por, sipas Jasharajt, protesta e paralajmëruar nuk ndërlidhet me fushatën. Ai ka thënë se vendimi për protestë ka ardhur pasi nuk morën një përgjigje nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, për draftkontratën kolektive që SBASHK-u e dërgoi në Ministri në fillim të tetorit.
“Ne i kemi lutur me muaj të tërë, por janë disa afate që ne nuk mund t’i ndërlidhim me fushatat, nëse zonja Nagavci thotë se nuk nënshkruajmë kontrata në kohë fushate, në rregull nëse qenka kohë fushate, a nuk është fushatë edhe deklarata e Kurtit se do t’i ngremë pagat në janar, pra ne nuk mund të merremi me fushata, fushata është shumë larg, ne më 2 tetor e kemi dorëzuar kontratën”, ka thënë Jasharaj.
Ministria e Arsimit nuk ka kthyer përgjigje përkitazi me kritikat e drejtuara nga Sindikata. Para dy vjetësh Ministria ka shkëputur kontratën kolektive me SBASHK-un, me arsyetimin se në kohën kur është nënshkruar, ministri i Qeverisë ishte në detyrë dhe ka pasur mungesë legjitimiteti.
Sindikata ka nënshkruar tri kontrata kolektive me pushtetin qendror. Një në vitin 2014, 2017 dhe tjetra më 2021. Këto kontrata iu mundësonin mësimdhënësve mbulimin e shpenzimeve për udhëtim, kompensim të shujtës dhe shpërblim jubilar. Implikimet financiare të këtyre kontratave kanë rënduar kuletën e komunave, pasi asnjëherë në përpilimin e buxhetit vjetor nuk është planifikuar kostoja e detyrimeve që dalin nga kontrata kolektive. Për mosarritjen e përmbushjes së këtyre detyrimeve, mësimdhënësit kanë paditur komunat, të cilat raste i kanë fituar në gjykatë. Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, niveli lokal është dëmtuar mbi 120 milionë euro nga paditë e mësimdhënësve.