Fëmijët në Kosovë janë deklaruar se bullizimi kryesisht ndodh në rrjetet sociale dhe në shkolla. Sipas një ankete të “Save the Children Kosova”, 78 për qind të fëmijëve thanë se bullizimi është shumë ose mesatarisht i pranishëm në shkollën e tyre. E njëjta përqindje vlen edhe për TikTok-un, pasuar nga rrjeti tjetër social Snapchat, me 57 për qind. Kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria po angazhohet që çdo fëmijë të rritet në një mjedis të sigurt
Në një anketë të organizatës “Save the Children” 78 për qind të fëmijëve kanë raportuar për praninë e bullizmit në shkolla, rreth një e treta e tyre se nuk ndihen të sigurt ta përdorin transportin publik gjatë natës e një e katërta se nuk dinë ku të drejtohen për probleme të shëndetit mendor.
Sipas anketës nga “Zërat e Rinj”, 78 për qind të fëmijëve thanë se bullizimi është shumë ose mesatarisht i pranishëm përmes TikTok-ut, pasuar nga rrjeti tjetër social Snapchat, me 57 për qind.
Raporti u publikua me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve që përkon me datën kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara adoptoi Deklaratën e të Drejtave të Fëmijës më 20 nëntor 1959.
Të anketuarit po ashtu kanë thënë se bullizimi ndodh edhe në Instagram (45 për qind) dhe Facebook (28 për qind) si hapësira ku bullizimi ndodh shpesh apo gjithmonë.
Anketa është realizuar në periudhën maj-qershor 2024 dhe në të kanë marrë pjesë 1.071 fëmijë në 16 komuna të Kosovës.
Fëmijët e anketuar ishin nga mosha 11 deri 17 vjeç, pra nxënës nga klasa e shtatë deri në të 11-n.
Sipas anketës, 29 për qind të fëmijëve kanë raportuar se rrallë apo kurrë nuk ndihen të sigurt kur përdorin transportin publik gjatë natës.
“Ky shqetësim është më i theksuar te vajzat, ku 35 për qind shprehin këtë ndjenjë krahasuar me 19 për qind të djemve”, thuhet në njoftimin e “Save the Children”.
Kjo organizatë ka kërkuar që në shkolla të ketë mekanizma më të fortë për të trajtuar menjëherë bullizimin dhe diskriminimin, duke ofruar “trajnime gjithëpërfshirëse për mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit që këto çështje të trajtohen së bashku”.
Po ashtu është kërkuar që të ketë siguri në internet dhe mekanizëm më të mirë mbrojtës për platformat sikurse TikTok dhe Snapchat, duke i “angazhuar kompanitë e teknologjisë, prindërit dhe mësimdhënësit në këtë përpjekje”.
“Save the Children” po ashtu kërkoi që institucionet të veprojnë me urgjencë për të përmirësuar sigurinë në transportin publik, veçmas gjatë natës, përmes masave më të mira të sigurisë, ndriçimit dhe fushatave të ndërgjegjësimit.
Ndryshe nga gjetjet, në takimin e Komitetit Ndërministror për të Drejta të Fëmijëve kryeministri Albin Kurti u shpreh se ekzekutivi që ai drejton ka krijuar politika që kanë ndikuar pozitivisht në mirëqenien e fëmijëve.
“Për barazi e mundësi të barabarta po rrisim mbështetjen nëpërmjet politikave sociale duke u siguruar që askush të mos mbetet mbrapa, që çdo fëmijë të rritet në një mjedis të sigurt që u mundëson përmbushjen e potencialit të tyre të plotë. Për këtë kemi bërë politika të reja për fëmijët dhe familjen.
Fëmijëve po u ndajmë shtesa për herë të parë që prej pasluftës”, ka thënë kryeministri Kurti.
Në ngjarjen e organizuar nga UNICEF-i në kuadër të projektit “Mbrojtja e fëmijëve të cenueshëm në Kosovë”, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se janë të përkushtuar drejt krijimit të kushteve për qasje më të lehtë në shkollë për të gjithë fëmijët.
“Kështu në veprimet tona si qeveri dhe si Ministri e Arsimit synojmë të krijojmë kushtet e duhura që fëmijët në shkolla te kenë një infrastrukturë cilësore, të krijohet një infrastrukturë fizike që mundëson qasje të lehtë për të gjithë fëmijët, të jenë të pajisur me tekste të sakta, të dinë të mbrohen nga dukuritë dhe shprehitë e rrezikshme”, ka thënë Nagavci.
E, shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vaschenko, tha se Dita Botërore e Fëmijëve është dita për të festuar progresin dhe për të qenë të vetëdijshëm për sfidat që kanë mbetur dhe për të rikonfirmuar përkushtimin tonë ndaj jetës së fëmijëve.
Ndërkaq Donjetë Kelmendi, drejtore ekzekutive e koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë (KOMF), tha se kjo ditë shërben si ditë reflektimi dhe në të cilën vazhdojnë thirrjet karshi institucioneve, qeverisë e komunave. Sa i përket mirëqenies sociale, ajo tha se si KOMF e njeh progresin e bërë në vitin 2024, duke iu referuar rritjes së shtesave për fëmijë dhe progresin rreth reformës së asistencës sociale, e cila më në fund pas 20 vjetëve po trajtohet, diskriminimi që u është bërë fëmijëve në përfitimin e asistencës sociale. Te kjo fushë ajo parashtroi kërkesat e koalicionit në lidhje me shërbimet sociale, të cilat në masë të madhe mbeten në varësi nga programet dhe donacionet ndërkombëtare, duke e parë atë si një çështje që duhet adresuar nga institucionet e vendit, sidomos nga komunat.
Edhe në anketën e publikuar nga “Save the Children” u theksua se 86 për qind e fëmijëve mendojnë se shkollat e tyre duhet të bëjnë më shumë për të mbështetur arsimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara.