Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se evropianët nuk do të ndryshojnë qëndrim sa i përket sanksioneve ndaj Milorad Dodikut, kryetarit të Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë, në këmbim të zhbllokimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës me këtë shtet. Një ditë pas Samitit të Berlinit, Sarrazin ka folur për përfitimet që do t’i kenë vendet e Ballkanit Perëndimor nga rritja e premtuar në kuadër të përgatitjes së tyre për integrim në Bashkimin Evropian
Gjermania e as Bashkimi Evropian nuk do të ndryshojnë qëndrim në raport me presidentin e sanksionuar të entitetit të Republikës Serbe, Millorad Dodik, i cili ka bllokuar njërën prej marrëveshjeve të arritura para dy vitesh në Procesin e Berlinit.
Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë të martën se Dodikut nuk do t’i japin karamele në këmbim të zhbllokimit të marrëveshjes për lëvizje vetëm me letërnjoftime mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës.
“E kemi bërë të qartë se kjo për neve është e domosdoshme dhe po ashtu Komisioni Evropian dhe partnerët tjerë evropianë kanë bërë përpjekje për ta finalizuar këtë. Por po ashtu ua kemi bërë të qartë se nuk do të japim karamele për këtë, nuk do të paguajmë, nuk do të ndryshojmë qëndrim sa i përket sanksioneve të Dodikut, sepse kjo ka të bëjë me përfitimet e qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës. Mendoj se çdo qytetar në Kosovë e kupton se nuk do t’i japim karamele Dodikut për ta kryer këtë”, ka thënë Sarrazin gjatë një diskutimi online me gazetarë.
Ai e ka cilësuar lajm të mirë vendimin e njëanshëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që nga janari i vitit të ardhshëm ta heqë regjimin e vizave për qytetarët nga Bosnje-Hercegovina.
“Është pozitive dhe lëvizje e mirë nga Qeveria e Kosovës që t’i lejojë qytetarët e Bosnjës të lëvizin lirshëm në Kosovë. Ky është shpirti që promovon Procesi i Berlinit dhe shpresoj që përfaqësuesit e entitetit të Republikës Serbe të pajtohen rreth atyre që promovon Procesi i Berlinit”, është shprehur ai.
E kryeministri Albin Kurti e ka quajtur paradoksale që në kohën kur ka liberalizim me vendet tjera, një entitet brenda Bosnjë-Hercegovinës ta bllokojë marrëveshjen e arritur.
“Ndodhemi në një situatë paradoksale pasi unë nëse dua të shkojë në Sarajevë më duhet të shkojë në Shkup për të marrë vizë. Andaj, në kushtet kur ne e kemi ratifikuar të parët në Parlamentin e Kosovës marrëveshjen për lëvizjen e lirë me karta identiteti dhe kur kjo gjë nuk është bërë në Parlamentin e Bosnjë-Hercegovinës, unë kam ofruar që nga 1 janari i vitit të ardhshëm qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës të mund të vijnë me karta identiteti, ndonëse ata nuk do të mund ta bëjnë të njëjtën gjë për shkak të Republikës Serbe e cila është shndërruar në një Bjellorusi të vogël në Ballkanin tonë Perëndimor”, ka thënë Kurti në një konferencë për media të hënën pas takimit në kuadër të Procesit të Berlinit. Aty u arritën disa marrëveshje të reja, që kryesisht lidhen me tregun e përbashkët rajonal.
Diplomati gjerman, Sarrazin, ka folur edhe për arritjet e Samitit tek i cilësoi tejet domethënëse.
“Arritjet e këtij Samiti janë të domethënëse pasi arritëm që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në një plan të ri të veprimeve për tregun e përbashkët rajonal, për të cilin duhet shumë punë dhe politika të reja në tri, katër vjetët e ardhshëm për të ardhur me veprime konkrete në heqjen e pengesave. Plani i rritjes së BE- është shumë i lidhur me tregun e përbashkët. Ideja që gjashte vendet të punojnë bashkë janë përfitimet që sjell tregu i përbashkët para anëtarësimit në BE. CEFTA është dhoma e punës për bashkëpunim rajonal dhe është shumë konkrete, pra angazhohet që të shmangen komplikimit burokratike”, ka potencuar Sarrazin.
Drejtoresha e Përkohshme e Sekretariatit të CEFTA-s, Danijela Gaçeviq, që mori pjesë në Samitin e organizuar nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se marrëveshjet mundësojnë zbatimin e suksesshëm të Planit aktual të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM).
“Secila nga këto marrëveshje sjell një sërë përfitimesh të prekshme për popujt dhe bizneset tona, pa të cilat mozaiku i Tregut të Përbashkët Rajonal nuk do të ishte i plotë. Por ky është vetëm fillimi. Udhëheqësit ishin të qartë se duan më shumë rezultate dhe CEFTA është e vendosur t'i ofrojë ato”, ka thënë Gaçeviq.
Duke u bazuar në përparimin e bërë gjatë katër vjetëve të fundit, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor miratuan një Plan të Ri të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal për vitet 2025-2028, i cili përcakton drejtimin për përmirësimin e tregtisë, mobilitetit dhe investimeve në të gjithë rajonin dhe integrimin me Tregun e Vetëm të BE-së. Plani i ri katërvjeçar është i ndarë në 6 shtylla, nga të cilat 3 do të zbatohen nga CEFTA: lëvizja e lirë e mallrave, lëvizja e lirë e shërbimeve dhe masat horizontale të tregtisë. Ky Plan synon të shfrytëzojë potencialin e rajonit duke nxitur tregtinë, investimet dhe duke hapur derën për integrimin e përshpejtuar në Tregun e Vetëm të BE-së.
Përveç zgjerimit të tregtisë dhe tregut, Samiti trajtoi çështje urgjente që lidhen me Agjendën e Gjelbër dhe lidhshmërinë energjetike. Samiti përfundoi me një konferencë të përbashkët ku morën pjesë kancelari Olaf Scholz dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që ofruan mbështetje të fortë të BE-së në përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian.