LAJMET E MBRËMJES

Sarrazin: Po t’ia kalonit me kohë pronat Manastirit të Deçanit, sot do të ishit në Këshillin e Evropës

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka rekomanduar autoritetet e Kosovës të marrin veprime në kohën e duhur. Ai ka thënë se sikur Manastirit të Deçanit t’i jepeshin me kohë pronat, Kosova do të ishte sot anëtare e Këshillit të Evropës. Sarrazin nuk ka treguar nëse Kosova do të ketë pasoja edhe nga refuzimi për ta hequr masën e sigurisë ndaj importeve të Serbisë.

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se po t’i kaloheshin me kohë Manastirit të Deçanit pronat që ia ka njohur Kushtetuesja, Kosova tashmë do të ishte anëtare e Këshillit të Evropës.

Sarrazin në një diskutim të organizuar për të shënuar çerekshekullin e angazhimit të Gjermanisë në Kosovë, ka sugjeruar që vendimet të merren në kohën e duhur.

“Në botë gjërat ndryshojnë dhe nëse e humbni momentumin, atëherë mos u ankoni më vonë se gjërat ndryshuan. Deçani (çështja e manastirit) erdhi vonë. Unë jam mjaft i sigurt. Ky nuk është qëndrim zyrtar i qeverisë gjermane. Nëse kjo do të ishte bërë një gjysmë viti më parë, ju do të ishit sot në Këshillin e Evropës. Është bërë vonë. Ishte shumë e qartë. Kjo është jeta. Bëni gjërat në kohë që t’ju njihen, përndryshe gjërat mund të ndryshojnë”, ka theksuar ai.

Sarrazin ka thënë se Kosova ka pritur që Gjermania t’i bindë shtetet që të votojnë pro anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Ju nuk duhet t’ia besoni Gjermanisë të bëjë punën e juaj diplomatike. Duhet të bëhet nga vetë Kosova, që të bindë partnerët e tjerë e jo vetëm që të na lërë neve që ta bëjmë atë”, ka deklaruar ai.

Emisari gjerman nuk ka dhënë sinjal as për ndryshim të situatës sa i përket pjesëmarrjes së Kosovës në Procesin e Berlinit. 

Ai pati paralajmëruar që nëse Kosova nuk do t’i bindet kërkesës së ndërkombëtarëve që të heqë masën e sigurisë ndaj produkteve serbe, mund të mbetet jashtë procesit.

E, të mërkurën tha se ende nuk është arritur që të ketë lajme pozitive, ndonëse kanë mbetur më pak se dy javë nga takimi.

Pas hapjes së Forumit të dytë ekonomik gjermano-kosovar, Sarrazin u takua me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Asnjëri prej tyre nuk ndau hollësi në lidhje me diskutimin e zhvilluar. 

Zëvendëskryeministri Bislimi ironizoi, kur iu përgjigj pyetjeve për diskutimet në takim. “Për futboll”, tha Bislimi.

Më 14 dhe 15 tetor do të mbahet Procesi i Berlinit, ku pritet që të nënshkruhet marrëveshja e tregtisë së lirë. Kosova e ka në pikëpyetje pjesëmarrjen, meqë është kushtëzuar me heqjen paraprake të masës së sigurisë për importet serbe.

Kosova i ka vendosur masat në qershor të vitit të shkuar, nën arsyetimin se nëpërmjet mallrave janë futur armë dhe municione ilegalisht.