LAJMET E MBRËMJES

Rutte: Kosova dhe Serbia të jenë fleksibile e të bëjnë kompromiset e duhura

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka qëndruar të martën në Kosovë. Gjatë vizitës së tij, ai ka takuar udhëheqësit shtetërorë e përfaqësues diplomatikë. Qëndrimi në Kosovë, sipas Ruttes, është dëshmi e përkushtimit të NATO-s për siguri afatgjate në Kosovë. E derisa ka thënë se aleanca që udhëheq mbështet dialogun me Serbinë, ka folur edhe se si duhet vepruar që të ecet përpara

Kosova dhe Serbia duhet të jenë fleksibile e të bëjnë kompromise që të ecin përpara në dialog, ka thënë të martën sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Gjatë vizitës në Prishtinë, Rutte ka thënë se zgjidhja për një paqe afatgjate në rajon është politike, ndonëse për këtë kërkohen edhe vendime të vështira. Sipas tij, stabiliteti në rajon varet nga të gjitha palët e ato duhet që të zgjedhin diplomacinë përpara përdorimit të dhunës.

“Zgjidhja për një paqe afatgjate është politike. Në këtë drejtim NATO-ja do të vazhdojë të mbështesë plotësisht normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinë, të udhëhequr nga BE-ja . Kjo është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të siguruar të ardhme stabile duke siguruar që të drejtat e të gjitha komuniteteve të respektohen dhe të mbrohen. Dhe për ta shtyrë përpara këtë dialog të dyja palët duhet të shfaqin fleksibilitet, të bëjnë kompromiset e duhura dhe të fokusohen në dobitë afatgjate”, ka thënë ai, në konferencën për media.

Rutte ka thënë se rruga e tillë kërkon edhe vendime të vështira, por që duhet të shihet në një aspekt më të gjerë.

“Normalizimi sjell stabilitet më të madh, më shumë mundësi investimi dhe pastaj siguri më afatgjatë për të gjithë rajonin. Prapë në dobi të të gjithëve”, ka thënë ai.

Rutte më tej tha se qëndrimi në Kosovë është dëshmi e përkushtimit të NATO-s për siguri afatgjate në të gjithë Kosovën. “Trupat tanë të KFOR-it punojnë pa pushim për të siguruar një ambient me rend dhe siguri për të gjithë popullin, të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë në përputhje me mandatin e OKB-së për KFOR-in”, ka thënë ai, tek ka shtuar se një rajon më i sigurt i Ballkanit Perëndimor nënkupton më shumë siguri për të gjithë zonën e NATO-s.

“Jemi plotësisht gati që t’i përgjigjemi çfarëdo zhvillimi të sigurisë dhe në këtë kuptim shpresojmë të shohim një bashkëpunim edhe më të thellë midis institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it në këtë drejtim. Kjo është shumë me rëndësi për ne”.

Mesazhet e tilla, për përpjekje të përbashkët për paqe afatgjate, sekretari i NATO-s ka thënë se do t’i përçojë te të gjithë aleatët, përfshirë këtu edhe te presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në takimin që pritet ta zhvillojnë këtë muaj në Bruksel.

E në konferencën me sekretarin Rutte, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se anëtarësimi në NATO i Kosovës është domosdoshmëri për paqen dhe stabilitetin në rajon e Evropë e jo thjesht një interes shtetëror i Kosovës.

“Stabiliteti i rajonit është i lidhur edhe me integrimin euroatlantik të vendeve të këtij rajoni. Kosova dhe qytetarët e saj ndajnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar NATO-ja, është koha që Kosova ta ketë vendin e saj në aleancë për të kontribuar si një anëtare e përgjegjshme dhe e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë globale”, ka thënë ajo.

Osmani ka përmendur investimin në sektorin e mbrojtjes e synimet për hapjen e Fabrikës së Municionit.

“Kosova tashmë e ka arritur objektivin e NATO-s prej 2 për qind të GDP-së për investime në mbrojtje dhe synojmë në një kohë rekord ta dyfishojmë këtë përqindje të investimeve në sektorin e mbrojtjes. Për ta arritur këtë na duhet të kemi bashkëpunimin edhe më aktiv me NATO-n dhe me shtetet anëtare dhe partnere. Po ashtu Kosova së shpejti do të fillojë edhe me prodhim të municionit dhe dronëve, duke e pozicionuar veten si një partner strategjik në fushën e mbrojtjes”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka folur edhe për sfidat me të cilat janë duke u përballur. Ka thënë se Kosova është duke u ballafaquar me kërcënime që janë duke rënduar sigurinë e Kosovës e të gjithë rajonit.

"Serbia fatkeqësisht vazhdon të minojë përpjekjet për paqe  dhe stabilitet dhe nëpërmjet veprimeve hibride dhe grupeve kriminale dhe të propagandës së vazhdueshme e mbështetur edhe nga Rusia dhe faktorë të tjerë dashakeqë, Beogradi po synon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por të gjithë rajonin”, ka theksuar ajo.

E për inkurajimin e Serbisë për të vazhduar me sulme, sipas Osmanit, është mungesa e përgjegjësisë ndaj autorëve që kanë kryer sulmet deri më tani, në mesin e tyre edhe atë të majit 2023, ku mbeten të lënduar edhe dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it.

“Prandaj është me rëndësi që bashkërisht ta fuqizojmë prezencën edhe të personelit, edhe të mjeteve për ta mbrojtur kufirin në mënyrë që të parandalohen si hyrja e grupeve terroriste ashtu edhe e armatimit të tyre, të cilët kanë për qëllim krijimin e konflikteve në rajonin tonë”, ka thënë ajo.

Por, Osmani e Rutte ndanë qëndrime të ndryshme sa i përket mandatit të ushtrisë së Kosovës. I pyetur nëse NATO ka ndryshuar qëndrim në lidhje me transformimin e FSK-së në ushtri, sekretari i NATO-s, Mark Rutte, është shprehur se si aleancë mbështesin FSK-në si forcë humanitare që është.

“Mandati është që të sigurohemi që FSK-ja të jetë efektive në rolin e vet humanitar këtu në Kosovë. Kështu është mandati saktësisht i NATO-s, për ta ndihmuar FSK-në që të jetë më e mirë si forcë humanitare kur ka fatkeqësi natyrore ose njerëzore. Ky është mandati. Në këtë punojmë çdo ditë dhe vazhdimisht”, ka thënë ai.

Por presidentja Vjosa Osmani, ndonëse ka thënë se procesi i avancimit është kompleks, FSK-ja ka mandat të plotë të përcaktuar në Kushtetutë e në ligjet e Kosovës.

“Në NATO janë katër anëtare të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo e shndërron çdo vendimmarrje rreth avancimit të raporteve mes NATO-s dhe FSK-së në një çështje jashtëzakonisht komplekse. Megjithatë, kjo nuk nënkupton që FSK-ja nuk e ka mandatin e plotë ashtu siç parashihet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e miratuara në Republikën e Kosovës si forcë e cila e mbron sovranitetin dhe integritetin territorial dhe të gjithë qytetarët e vendit tonë”, ka deklaruar Osmani.

Pas takimit e konferencës me presidenten Vjosa Osmani, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte është pritur edhe nga kryeministri Albin Kurti. E në një shkrim në rrjetin X, Kurti ka përmendur ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës.

“Ne vlerësojmë bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe rikonfirmojmë angazhimin tonë për sigurinë rajonale dhe evropiane. Theksova gjithashtu progresin e rëndësishëm demokratik të Kosovës. Megjithatë, si shumë vende evropiane, ne kemi qenë në shënjestër të ndërhyrjeve në zgjedhje, në rastin tonë, nga Serbia me ndihmën ruse, një mjet i përhapur që përbën një kërcënim kritik për demokracinë në epokën aktuale”, ka shkruar Kurti.