LAJMET E MBRËMJES

Rushiti: Drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës të shkojë përtej ndëshkimit të autorit

Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës duhet të shkojë përtej ndëshkimit të autorit të krimit. Në takimin e organizuar nga kjo qendër, përfaqësues të Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së thanë se është momenti që këto raste të fillojnë të trajtohen sipas rekomandimeve përkatëse.

“Drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës duhet të shkojë përtej ndëshkimit të autorit të krimit, u tha në tryezën me titullin “Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale lidhur me konfliktin” e  organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, tha se stigma është një armik i fshehur që godet të mbijetuarit pas dhunës.

“Drejtësia për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës duhet të shkojë përtej ndëshkimit të autorit të krimit. Ajo duhet të jetë një sistem gjithpërfshirës ku e vë në pah dhe e mban përgjegjës autorin e krimit, duke siguruar që të mbijetuarit të ndihen të mbrojtur në këtë proces dhe lënda e tyre të trajtohet në konfidencialitet”, tha Rushiti.

Rushiti theksoi se viktimat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës përballen me sfida të shumta.

“Dhuna seksuale në luftë, por edhe në vendet ku ka konflikte të armatosura aktuale lë plagë të thella dhe të shumëfishta. Ndikimi nuk ndalet vetëm tek dëmi fizik siç mendohet, por edhe shkatërrimi i shëndetit mendor të saj, njëhkohësisht edhe siguria personale. Ajo përfshin edhe një efekt më të madh dhe më të fshehur siç është stigmatizimi, që rëndon edhe më thellë traumën e këtyre personave të cilët janë ballafaquar me dhunën seksuale”, tha ajo.

Ndërsa shefi i sektorit për sundimin e ligjit dhe ekipit për të drejtat e njeriut nga Zyra e përfaqësuesit special të BE-së, Jarmo Feliks Helppikangas, tha se ka zhvillime për sa i përket drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale në luftën e Kosovës.

“Ka pasur disa përmirësime, siç është për shembull Agjencia për Drejtësi Tranzicionale, që është miratuar së fundmi. Për këtë dhe çështje të tjera është koha që të ndërmerren hapa  që rekomandohen, për çka edhe janë bërë disa përpjekje. Po që normalisht merr kohë që të realizohen sepse kërkojnë përkushtim dhe angazhim për të gjitha këto përgjigjësi, e që fillojnë me aprovimin e buxhetit nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit”, tha Helppikangas.

Në këtë diskutim u shpalosën edhe arritjet e projektit të punuar midis QKRMT-së dhe UNDP-së për të mbijetuarit e dhunës seksuale, ku u përmendën ndihma juridike falas, mbështetja psikosociale, takimet me viktimat, zhvillimi i databazës profesionale dhe aspekte të tjera.