LAJMET E MBRËMJES

Rugova vlerësohet e nderohet edhe jashtë kufijve të Kosovës

Në përvjetorin e vdekjes së Rugovës, në qytetin e Gjilanit është mbajtur akademi përkujtimore ku u vlerësua figura e tij. Ish-presidenti për rolin e tij u vlerësua edhe nga krerët e Shqipërisë, të cilët e quajtën lider paqësor. E vlerësim të njëjtë dhanë edhe ambasadorët e huaj në Kosovë.

Jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj ish- presidenti Ibrahim Rugova të dielën, në 18-vjetorin e vdekjes së tij, u vlerësua e u nderua për liderin që ishte.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka cilësuar si lider paqësor dhe model për politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës.

“Ibrahim Rugova, presidenti historik i Kosovës, lideri paqësor e paqëtues, është e do të mbetet modeli i politikanit frymëzues për politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Begaj.

E kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Rugovën e përkujtoi duke përdorur sloganin “Liria ka emër”.

“18 vjet pa Ibrahim Rugovën mes nesh, po edhe 18 arsye më shumë për t’u përulur me nderim përpara këtij monumenti të kujtesës sonë kombëtare”, tha Rama.

Në përkujtim të Rugovës homazhe pranë varrit të tij bënë edhe ambasadori e SHBA-së dhe ai i BE-së në Kosovë.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, tha se ajo që ka lënë pas ish – presidenti Rugova është frymëzim në Kosovë dhe në mbarë botën.

“Trashëgimia e presidentit Rugova - ajo e një lideri që avokoi për rezistencë paqësore duke kërkuar të drejta dhe liri të barabarta për të gjithë qytetarët - është frymëzim këtu në Kosovë dhe në mbarë botën”, tha Hovenier.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovës, Tomas Szunyog, e quajti Rugovën si njeri të përkushtuar ndaj paqes.

“Rugova do të mbahet mend gjithmonë për rolin e tij në historinë moderne të Kosovës dhe si njeri i përkushtuar ndaj paqes”, tha Szunyog.

E në Gjilan, nën patronazhin e presidentes Vjosa Osmani, u mbajt akademi përkujtimore kushtuar jetës e veprës së Rugovës.

Nga aty, Osmani e ish-presidenti Fatmir Sejdiu e vlerësuan atë si lider të rezistencës aktive kundër okupimit serb.

“Trashëgimia e tij politike është e jashtëzakonshme, roli i tij në udhëheqjen e popullit të Kosovës drejtë lirisë ishte vendimtar. Ai e orientoi Kosovën drejt vizionit euroatlantik dhe solli vëmendjen e tërë botës demokratike në Kosovë”, tha Osmani.

“Presidenti Rugova e tregoi dhe e ndoqi me urtësi e qartësi rrugën për të arritur pavarësinë. Ajo rrugë nisej nga krenaria për përkatësinë kombëtare dhe civilizuese, për historinë dhe kulturën të lashtë e të re duke bashkuar secilin shqiptar në luftën e qëndrueshmërisë së pandalshme”, deklaroi Sejdiu.

Në këtë akademi u tha se presidenti Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës, pasi ai përfaqëson frymën e lëvizjes dhe përpjekjeve të gjata për pavarësi.