Thirrje për vetëpërmbajtje për institucionet e vendit lidhur me hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë kanë vazhduar edhe të martën nga ndërkombëtarët. Ndihmëssekretari i përgjithshëm i NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, ka përsëritur qëndrimin se vendimet për Urën e Ibrit të merren përmes dialogut.
Ndihmëssekretari i përgjithshëm i NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje nga veprimet dhe deklaratat e njëanshme, të cilat mund të ndikojnë në rritjen e tensioneve, pasi autoritetet kosovare po punojnë për hapjen e Urës së Ibërit.
Pas takimit që ka pasur me presidenten Vjosa Osmani, ai ka përsëritur qëndrimin se hapja e urës duhet të merret përmes dialogut.
“NATO-ja është krenare që ka ofruar mjedis të sigurt për të gjithë në Kosovë për 25 vjet. Me presidenten Vjosa Osmani kemi bërë një bilanc të asaj që është arritur. Në urën mbi Ibër nënvizova pikëpamjen e NATO-s se vendimet duhet të vijnë përmes dialogut dhe në mënyrë të koordinuar”, tha Ruge.
E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se në takim ka theksuar mirënjohjen e Kosovës për kontributin e NATO-s dhe përkushtimin për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
“Kosova është e gatshme që t’i kontribuojë unitetit transatlantik në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë e lirisë”, tha Osmani.
Për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, presidentja Vjosa Osmani ka biseduar edhe në takimin që ka pasur me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.
Në njoftimin për media thuhet se në takim Osmani ka ripotencuar qëndrimin e saj se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.
Osmani ka ritheksuar se plani i zbatimit për hapjen e urës duhet të bëhet në konsultim e koordinim midis institucioneve dhe partnerëve tanë të sigurisë.
Takimi i Osmanit me Rugen e Hargreaves ndodh në kohën kur ndërkombëtarët po kundërshtojnë një plan të Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë për qarkullim të veturave.