LAJMET E MBRËMJES

Rryma shtrenjtohet për 16.1% për të gjitha kategoritë e konsumatorëve

Me miratimin e tarifave të reja të energjisë elektrike, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka zyrtarizuar rritjen e çmimit të rrymës prej 16.1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Ky vendim është kundërshtuar nga përfaqësues të partive politike që deri më tani kanë qenë në opozitë, teksa për ZRRE-në kanë thënë se është shndërruar në një mashë të Qeverisë. E në Qeverinë në detyrë kanë thënë se nuk kanë kontroll mbi çmimet e importit të energjisë elektrike

Një konsumator që gjatë marsit ka shpenzuar energji elektrike në vlerë mesatare prej 50 eurosh, nga 1 maji do ta pranojë faturën për 8 euro më të lartë, pasi që Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të mërkurën i ka miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike për konsumatorët me pakicë.

Me këtë, çmimi i rrymës është rritur për 16.1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.  

Tarifa e lartë për konsumatorët të cilët shpenzojnë më pak se 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj është rritur nga 7.79 centë në 9.05 centë për kilovat, teksa ajo e ulët nga 3.34 centë është bërë 3.88 centë për kilovat.

E për konsumatorët të cilët shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë, tarifa e lartë është rritur nga 13.29 në 15.43 centë, ndërsa ajo e ulëta nga 6.27 centë në 7.28 centë.

Muharrem Gashi, udhëheqës i departamentit të tarifave në ZRRE, ka bërë të ditur gjatë mbledhjes të së mërkurës se tarifat e reja do të jenë në fuqi nga 1 maji i sivjetmë deri më 31 mars të 2026-s.

“Lus bordin që ta shqyrtojë dhe të miratojë tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me të drejtë furnizimi dhe shërbimi universal që të furnizohen që nga data 1 maj 2025 me rritje lineare prej 16.1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve”, ka thënë ai.

Ky propozim ka marrë votën unanime të anëtarëve të Bordit. 

“Konstatoj që me pesë vota për aprovohen tarifat me pakicë për konsumatorët me shërbim universal, siç janë të përcaktuara kriteret në legjislacionin primar. Të gjithë konsumatorët që kanë të drejtë të furnizohen me tarifa me shërbim universal janë konsumatorët shtëpiakë ose familjarë dhe bizneset e vogla me qarkullim më pak se 10 milionë dhe më pak se 50 punëtorë. Pra, janë këto dy kategori që kanë të drejtë të furnizohen përmes furnizuesit me obligim të shërbimit universal KESCO për periudhën tarifore 1 maj deri më 31 mars të vitit të ardhshëm”, ka theksuar Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRRE-së.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka miratuar po ashtu tarifat për shfrytëzim të Rrjetit të Transmisionit dhe tregut dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).

Pas kësaj, mbledhja e ZRRE-së është zhvilluar me dyer të mbyllura, ngase në rend të ditës ka qenë edhe shqyrtimi i disa prej ankesave që konsumatorët ia kanë adresuar këtij institucioni lidhur me paralajmërimin për shtrenjtimin e rrymës.

Gjatë konsultimeve për tarifa, Presidenca e Kosovës e ka kundërshtuar propozimin e ZRRE-së, Ministria e Ekonomisë ka rekomanduar që rritja të mos i prekë amvisëritë të cilat konsumojnë më pak se 800 kWh, porse këto rekomandime nuk janë marrë për bazë nga ZRRE-ja.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tek është pyetur nga gazetarët lidhur me çështjen pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, ka thënë se ekzekutivi nuk ka kontroll mbi çmimet e importit të energjisë elektrike.

“Sa na përket neve, gjatë këtij mandati, ajo çfarë kemi mundur të bëjmë është çmimi i energjisë elektrike që KEK-u sa e shet, vazhdon të jetë 30 euro për megavat orë. Çka ka ndikuar në rritjen e tarifave mund të jenë dy çështje. Janë kostot operacionale të cilat i miraton ZRRE-ja, dhe është çmimi i furnizimit nga importi. Ne si qeveri, kontroll mbi çmimet e importit nuk kemi, ashtu siç nuk kemi edhe në çmimet e naftës”, ka theksuar Murati.

E përfaqësues të partive që deri më tani kanë qenë në opozitë e kanë kritikuar ZRRE-në lidhur me vendimin për shtrenjtimin e rrymës, teksa kanë thënë se ajo është shndërruar në një mashë të Qeverisë.

“Derisa Albin Kurti ‘i dorëhequr’ i paska ftuar anëtarët e kabinetit qeveritar në një mbledhje të Qeverisë, ZRRE-ja, e shndërruar në mashë të Qeverisë, paska aprovuar shtrenjtimin e rrymës 16.1%. E ndërkohë që Albin Kurti e ka hallin e numrave e të pazareve, qytetarët do ta ndiejnë thellë varfërimin në faturat e rrymës në maj. Kjo veç qeverisje nuk është!”, ka shkruar në Facebook deputetja e Partisë Demokratike (PDK), Blerta Deliu.

Kritikë për vendimin e ZRRE-së ka shprehur edhe deputeti i Lidhjes Demokratike (LDK), Avdullah Hoti, i cili ka vlerësuar se nuk ka asnjë arsye ekonomike që të rriten tarifat e energjisë elektrike.

“E para, tregjet e energjisë kanë qenë stabile dhe pritet të mbesin të tilla, pasi nuk ka të ngjarë se do të ketë ndryshime në kërkesë dhe as në ofertë të energjisë. Kjo pasi është bërë progres i madh në tranzicionin energjetik të shumë vendeve të BE-së për t’u pavarësuar nga gazi rus, që nënkupton se është stabilizuar oferta për energji dhe ka siguri shumë më të madhe të furnizimit... E dyta, nuk ka asnjë logjikë që vit pas viti ndërmarrjeve të energjisë elektrike në Kosovë t’u pranohen humbjet, të cilat arrijnë në dhjetëra miliona euro, dhe të përfshihen në tarifat që paguajnë konsumatorët”, ka shkruar ai në rrjete sociale. “Është për keqardhje që sot Kosova nuk ka qeveri efektive që të trajtojë me profesionalizëm dhe kujdes maksimal vendime të tilla që prekin standardin e jetës së çdo familjeje”.

Kundër rritjes së çmimit të energjisë janë mbajtur dy protesta qytetare teksa një tjetër është paralajmëruar edhe për të shtunën. 

Brenda 4 vjetëve, kjo është hera e tretë që rritet çmimi i energjisë elektrike.