Reshjet e borës kanë shkaktuar vështirësi në komunikacion nëpër qytete të ndryshme të Kosovës. Për gjendjen e rrugëve, qytetarët kanë fajësuar kompanitë përgjegjëse për pastrimin. E në Ministrinë e Infrastrukturës thanë se të gjitha rrugët magjistrale janë të kalueshme
Qytetarë të shumtë kanë shprehur ankesë për rrugë të pakalueshme e për vështirësi në lëvizje me automjete, shkaku i reshjeve të dendura të borës që kanë nisur në mbrëmje e kanë vazhduar edhe gjatë mëngjesit.
Në pamjet që disa nga qytetarët ia përcollën KOHËS, vështirësi në lëvizje ka pasur në rrugët magjistrale Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Pejë, Gjilan-Prishtinë e vende të tjera.
Për gjendjen e krijuar nëpër rrugë, qytetarët kanë fajësuar kompanitë përgjegjëse për pastrimin e tyre.
“Në janar gjithmonë dihet se bie borë, por për kompanitë që kujdesen për mirëmbajtje të rrugëve, e pashë se i ka kapur në befasi. Nuk e di ndoshta ata janë mësuar verës me ra borë dhe me qenë të përgatitur, përndryshe dimrit gjithmonë ka pasur borë”, ka thënë Behram Rexha, një nga qytetarët.
Ankesë ka shprehur edhe qytetari Ukë Balaj.
“Jo nuk ka ra edhe aq shumë sa me e vështirësu, sepse ne jemi të mësuar me borë. Neve kur të na bie diku 40-50 centimetra, atëherë na bllokon, se nuk jemi ne sikur qytetet e mëdha Nju Jorku”, ka thënë ai.
E zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale theksoi se të gjitha rrugët janë të kalueshme.
“Me 19 kontrata aktive, jemi duke punuar në terren gjatë gjithë kohës që qarkullimi në rrugë të jetë sa më i lehtë. Të gjitha rrugët janë të kalueshme me gjithë reshjet e vazhdueshme. U bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të vozisin me kujdes, duke respektuar rregullat dhe duke iu përshtatur kushteve në komunikacion”, ka shkruar Durmishi.
Njoftim për pastrimin e rrugëve dhe për qarkullueshmërinë në nivel të Prishtinës bëri edhe kryetari i Komunës, Përparim Rama, tek ekipet po e kryejnë punën e tyre, por shtoi se reshjet e vazhdueshme të borës në mëngjes e kanë vështirësuar situatën në terren.
E, Policia ka apeluar për kujdes.
“Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje të borës, Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me borë dhe me ngrica”, thuhet në apelin e Policisë.
Në videot e qytetarëve janë shfaqur pamje edhe të aksidenteve rrugore. Në Polici nuk kanë treguar për aksidentet, tek kanë thënë se për të dhëna duhet pritur raporti 24-orësh që publikohet të dielën.