Rreth 4 orë i janë dashur pushtetit që t’i bëjë votat e mjaftueshme për të votuar dy nga projektligjet që ishin në rend dite në seancën e së hënës.
Me 61 vota Kuvendi miratoi zgjatjen e masave emergjente për furnizimin me energji e edhe Projektligjin për edukimin në fëmijërinë e hershme.
Deputetët opozitarë braktisën sallën meqë për orë të tëra projektligjet nuk u vunë në votim shkaku i prezencës së pamjaftueshme të deputetëve të pushtetit nga të cilët pritej vota për.
“Po shohim një papërgjegjësi të madhe, një menaxhim jashtëzakonisht të dobët, nuk mendoj që duhet të vazhdojë Kuvendi i Kosovës me dështime të njëpasnjëshme siç jemi duke dështuar”, tha shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Ne kemi më shumë se katër orë që kemi kuorum për votim dhe Kuvendi nuk po voton. Kjo nuk është në të mirë të demokracisë dhe as të parlamentarizmit”, tha deputeti i LDK-së, Arben Gashi.
“Ne mundemi të qëndrojmë me prezencë fizike, por kushte për punë dhe deputetë nuk ka, kështu që mendoj se duhet me e mbyllë këtë seancë”, tha shefi i GP-së të AAK-së, Besnik Tahiri.
E pritjen e arsyetoi kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili tha se votimi i zgjatjes së masave emergjente për energjinë është i rëndësishëm.
“Nëse nuk i votoni, për me funksionuar Kuvendi i Kosovës duhet mazhoranca me qenë e plotë në kuvend, për me marrë vendime, 61 deputetë që marrin pjesë në votim. Shumë kollaj është me ndërpre seancën dhe me thënë vazhdojmë javën e ardhshme, por për sa kohë që është e mundshme objektivisht, mbledhja e një shumice në Kuvend pse mos t’i kryejmë punët edhe sot”, tha Konjufca.
Pa opozitën në sallë mungonte edhe kuorumi. Por, atë e mundësoi deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj.
“Unë do të votoj pro vazhdimit të masave emergjente nga Qeveria e Republikës së Kosovës, gjegjësisht ministria, për arsye se mendoj se ne të gjithë duhet të jemi vigjilentë dhe duhet të përkrahim çdo mundësi të masave emergjente për të kaluar krizën energjetike”, tha Reshitaj.
Reshitaj nuk ka qëndruar më gjatë sesa kur është kryer votimi. Për pasojë, ka munguar kuorumi për t’i shqyrtuar dhe votuar pikat e tjera të rendit të ditës e të cilat janë bartur nga seanca e javës së shkuar, që po kështu ka dështuar shkaku i mungesës së kuorumit.