LAJMET E MBRËMJES

Rreth 150 juristë të rinj i shtohen sistemit të drejtësisë

Ministrja Albulena Haxhiu ka thënë se procesi i provimit ka qenë transparent dhe meritor. Kryetari i Gjykatës Supreme dhe njëkohësisht kryetari i Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës, Fejzullah Rexhepi, ka kërkuar nga juristët e rinj që t’i përfillin përgjegjësitë e detyrës së tyre

Rreth 150 kandidatë që dhanë provimin e jurisprudencës në maj të këtij viti, të hënën janë pajisur me certifikata nga Ministria e Drejtësisë.

Me certifikata u pajisën edhe kandidatët që mbetën në riprovim në maj të vitit të shkuar. 

Ministrja Albulena Haxhiu ka thënë se procesi i provimit ka qenë transparent dhe meritor.

“Besoj se ky proces edhe për ju edhe për Ministrinë e Drejtësisë ka një vëmendje të veçantë që ky proces me qenë transparent sepse besoj që edhe ju ndiheni më mirë kur proceset të cilat organizohen nga Ministria e Drejtësisë nëpërmjet të cilave ju kaloni që të jenë sa më transparente sa më profesionale dhe sa më meritore”, ka thënë Haxhiu.

Kryetari i Gjykatës Supreme dhe njëkohësisht kryetari i Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës, Fejzullah Rexhepi, ka kërkuar nga juristët e rinj që t’i përfillin përgjegjësitë e detyrës së tyre. 

“Ky nuk është vetëm privilegj, por edhe përgjegjësi sepse pavarësisht se cilin funksion do ta ushtroni, pavarësisht qoftë gjyqtar, prokuror apo avokat keni gjithmonë përgjegjësinë që e keni në dorë fatin e njerëzve, kështu që unë kisha porosit që të kujdeseni që fati i njerëzve të mos ndryshojë për fajin e juaj”, ka thënë Rexhepi.

Dhënia e provimit të jurisprudencës ua mundëson juristëve të diplomuar të ushtrojnë profesionin e tyre. 

Qëllimi i provimit të jurisprudencës është verifikimi dhe vlerësimi i aftësive teorike dhe praktike të juristëve për ushtrimin e pavarur të detyrave, zbatimin e ligjeve, njohjen e etikës profesionale, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore nga e drejta e brendshme dhe ajo ndërkombëtare.