Kritika për Kosovën e Serbinë mbi mungesën e përparimit në dialogun e Brukselit ka shprehur ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde. Ai e përsëriti qëndrimin se pa normalizim të marrëdhënieve nuk mund të ketë rrugë evropiane për të dyja vendet. E në Qeveri e konfirmuan takimin mes kryenegociatorëve në Bruksel, më 24 tetor. Thanë se në fokus të diskutimeve, të enjten e ardhshme, do të jetë rruga për zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe të Aneksit të Ohrit
Rruga drejt zbatimit të Marrëveshjeve të dakorduara me Serbinë do të jetë në fokus të diskutimeve që Kosova pritet t’i zhvillojë javën e ardhshme në Bruksel, kanë thënë të premten në Qeveri.
Tek e konfirmoi takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve më 24 tetor, Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, theksoi se Kosova do të vazhdojë të jetë palë konstruktive në këtë proces.
“Javën e ardhshme, më 24 tetor, do të mbahen takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel, në nivel të kryenegociatorit. Në tërësi, fokus i diskutimeve do të jetë rruga përpara, në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të Ohrit. Kosova do të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e angazhuar pozitivisht në proces”, ka thënë Kadiu.
Më pak se një javë para takimit, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka kërkuar lëvizje dhe vullnet politik nga të dyja palët.
“Për momentin nuk ka shumë përparim në dialog. E di që ka zgjedhje, por ne gjithmonë kemi zgjedhje diku. Për qytetarët e rajonit dhe veçanërisht të Kosovës dhe Serbisë, është e rëndësishme që të ketë lëvizje që ne të ecim përpara dhe jam i sigurt se Lajçaku dhe ekipi i ri në Komision duan përparim, dhe në fund, qëllimi përfundimtar është anëtarësimi i Kosovës dhe i Serbisë në BE. Të dyja dhe të gjithë e dinë se kjo mund të arrihet vetëm nëse kemi normalizim dhe pa normalizim nuk ka anëtarësim të mundshëm”, u shpreh Rohde.
E Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, e përsëriti qëndrimin e Qeverisë se marrëveshja e arritur vitin e shkuar duhet të zbatohet e plotë.
“Ne kemi thënë se letra, të cilën e ka deponuar ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në dhjetor të vitit të kaluar, ajo duhet të tërhiqet, sepse aty shprehte se për Serbinë marrëveshja nuk është e zbatueshme tërësisht, e pranueshme tërësisht dhe as ligjërisht e obligueshme, përderisa ata kanë dalë nga marrëveshja duhet që të kthehet besimi në marrëveshje dhe pastaj zbatimi i plotë i saj. Nuk mund të ketë zbatim të pjesshëm, por zbatim të plotë”, ka deklaruar Zulfaj.
Takimi i fundit në Bruksel u zhvillua një muaj më parë. Asokohe nuk pati takim trepalësh mes kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë dhe ndërmjetësuesit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Bislimi e pati akuzuar Serbinë për mungesë të takimit, tek tha se homologu i tij serb, Petar Petkoviq, e ka kushtëzuar agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën.