Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar të martën raportin mbi zbatimin e Procesit të Berlinit, sipas të cilit shteti ka vazhduar të ketë përparim të moderuar veçmas në fushën e digjitalizimit. E, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se Serbia nuk ka zbatuar marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi dhe u shpreh skeptike se mund të arrihen marrëveshje të reja
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka akuzuar Serbinë se nuk po i zbaton marrëveshjet e arritura përgjatë Procesit të Berlinit.
Në kuadër të këtij Procesi, që synon të rrisë bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe të ofrojë ndihmë për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian, Rizvanolli ka thënë se Kosova është më aktive se shtetet fqinje.
Ajo është shprehur skeptike se mund të arrihen marrëveshje të reja, marrë parasysh bllokimin që Serbia ka bërë në transmisionin e energjisë.
“Kosova ka probleme specifike politike që të bëjnë të mos shpresosh shumë edhe për marrëveshjet e reja. Nëse flasim për energjinë, një gjë që e kemi përjetuar gjatë gjithë kohës është se ne kemi votuar në Proces të Berlinit, nga ana tjetër, sot jemi në një situatë kur qe 5 vjet Serbia nuk lejon alokimin e kapaciteteve në linjat e transmisionit”, ka thënë Rizvanolli.
Këtë deklaratë ministrja e ka bërë të martën në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, në të cilin është publikuar raporti për zbatimin e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit.
Bazuar në raport, gjatë një viti Kosova ka vazhduar të ketë përparim të moderuar në zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit, e konkretisht në pjesën e Digjitalizimit.
Ndërkaq hulumtuesja e KDI-së, Violeta Haxholli, ka listuar disa nga vërejtjet që lidhen me digjitalizimin.
“Kosova ka arritur një shtrirje të internetit rreth 100 për qind që e tejkalon edhe mesataren e BE-së, e që është zhvillimi më pozitiv nga pjesa e digjitalizimit. Ndërkaq pjesa siç kemi marrë obligime dhe që kërkohet nga BE-ja që Kosova të bëjë përpjekje për të zbatuar edhe teknologjinë 5G, që është duke u zhvilluar, por duhet edhe tutje”, ka thënë Haxholli.
Në raport i është rekomanduar Kosovës të sigurojë burime të mjaftueshme për implementimin e strategjive të aftësive digjitale dhe të vazhdojë përpjekjet për të përmirësuar infrastrukturën digjitale, për të zhvilluar aftësitë digjitale të mësuesve dhe nxënësve, si dhe për të adresuar pabarazitë për grupet e pafavorizuara dhe pakicat, duke reduktuar hendekun e kompetencave digjitale në arsim.