LAJMET E MBRËMJES

Rinumërim për votat e LDK-së në Vushtrri

Në urdhrin e Prokurorisë dhënë Policisë të martën për këqyrje në vend të ngjarjes thuhet se kandidati për deputet i LDK-së, Xhafer Tahiri, në një vendvotim në Vushtrri ka marrë më shumë vota sesa kandidati për kryeministër i kësaj partie, Lumir Abdixhiku. Dyshime për ndërhyrje në listën dhe në nënshkrimet e votuesve janë ngritur edhe në një tjetër qendër votimi

Votat e Lidhjes Demokratike (LDK) në të gjitha qendrat e vendvotimeve në komunën e Vushtrrisë do t’i nënshtrohen rinumërimit, pasi urdhër për këtë ka dhënë të mërkurën Prokuroria Themelore në Mitrovicë, si rrjedhojë e ankesave të pranuara. 

Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për ankesën e paraqitur nga kandidatja për deputete e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ndaj kolegut të saj partiak, Xhafer Tahiri, rreth manipulimit me vota.

Në urdhrin e Prokurorisë dhënë Policisë të martën për këqyrje në vend të ngjarjes thuhet se kandidati për deputet Tahiri në një vendvotim ka marrë më shumë vota sesa kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku. E dyshime për ndërhyrje në listën dhe në nënshkrimet e votuesve janë ngritur edhe në një tjetër qendër votimi. 

Në dëshminë e dhënë, kandidatja për deputete Krasniqi ka pretenduar se komisionerët që janë caktuar për numërim të votave janë familjarë të Tahirit.

“Këto shqetësime, që fillimisht nuk iu ka kushtuar rëndësi të madhe, dolën se janë shqetësuese për faktin se: shumë njerëz që kishin lidhje me numërimin e votave dhe familjarëve të ndryshëm më informonin se gjatë numërimit të votave është duke u manipuluar me votat e kandidatëve”, është thënë në dëshminë e Krasniqit.

E si dëshmi për këtë, ajo e ka prezantuar një mesazh telefonik.

“Unë e posedoj edhe një SMS të dërguar nga një person që ka qenë aty brenda në numërim të votave dhe në këtë SMS ceket se: paska ardhur një djalë i LDK-së dhe iu tha komisionerëve: ‘A bëhemi bashkë dhe t’i ndihmojmë Xhafës”, është bërë e ditur në dëshmi.

Në lidhje me çështjen e rinumërimit të votave të LDK-së në Vushtrri, të mërkurën nuk janë përgjigjur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).