LAJMET E MBRËMJES

Rënia e temperaturave në prill shqetëson bujqit dhe kultivuesit e pemëve

Pas një periudhe të ngrohtë, fillimi i muajt prilli janë rikthyer temperaturat e ulëta, duke vënë në alarm bujqit dhe kultivuesit e pemëve frutore në gjithë vendin. Ekspertët thonë se ngricat kërcënojnë të dëmtojnë seriozisht kulturat që tashmë kanë hyrë në fazën e lulëzimit, duke rrezikuar rendimentin e sivjetshëm bujqësor.

Rënia e borës të dielën, por edhe paralajmërimi për temperatura minimale nën zero ditëve në vijim, ka shkaktuar shqetësim te bujqit dhe veçanërisht kultivuesit e pemëve frutore.

Tahir Tahiri, kryetar i Sindikatës së Bujqve, thotë se nuk pret fruta nga plantacioni i tij me pemë nëse vazhdojnë temperaturat e ulëta.

Ai përmend se kjo mund t’i dëmtojë edhe disa kultura që veçse kanë lulëzuar.

“Unë i kam diku 100 trupa pemë të llojeve të ndryshme, po e shoh se një lloj i dardhave kanë lulëzuar, mandej një varietet i kumbullave, i qershive kanë lulëzuar dhe këto, nëse vazhdon ky mot, atëherë prej këtyre pemëve i kemi çuar duart”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, kushtet klimatike të dimrit dhe pranverës së hershme kanë qenë të favorshme për zhvillimin e hershëm të pemëve, por kjo ka sjellë rrezik të madh nga ngricat e papritura.

“Me të vërtetë është shqetësuese për shkak se pranvera e hershme e sivjetme, por edhe pjesa e dimrit ka qenë me kushte të mira klimatike, do të thotë ka qenë koha e nxehtë dhe në këtë mënyrë sidomos pemët janë mbërthyer sythat e tyre dhe disa prej pemëve edhe kanë lulëzuar”, tha Tahiri. 

Edhe ekspertët e fushës paralajmërojnë për rreziqe serioze nga temperaturat e ulëta. 

Profesori i pemëtarisë, Vahid Avdiu, thotë se ngricat e paralajmëruara mund të dëmtojnë rëndë kulturat bujqësore.

“Temperaturat të cilat e rrezikojnë këtë fazë janë -2,-3 gradë celsius pra në fazën e lulëzimit, ndërsa në fazën e mugullimit të sythit -3,-4, ndërsa në fazën e formimit të frutëzave diku -1,-2 gradë. Faktikisht këto temperaturat e paralajmëruara ditëve të ardhshme deri në -4 e -5 paraqesin rrezik për këto kultura”, tha Avdiu.

Edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka lëshuar paralajmërim për ngrica të mundshme gjatë muajit prill, duke rekomanduar masa mbrojtëse për bujqit dhe fermerët.

“Kujdes ndaj ngricave të mundshme në prill, sidomos për pemët frutore dhe perimet e hershme. Përdorimi i mbulesave ose sistemeve  të ujitjes për mbrojtje nga ngricat mund ta ndihmojë. Monitorimi i sëmundjeve dhe dëmtuesve, veçanërisht pas periudhave me lagështi të lartë, për të parandaluar infektimet në grurë dhe pemë frutore. Menaxhimi i tokës duhet të bëhet me kujdes për të shmangur erozionin e mundshëm pas reshjeve të dendura”, ka njoftuar IHMK.

Sipas ekspertëve, kulturat më të rrezikuara janë kumbullat, kajsitë, qershitë dhe pjeshkat.