Instituti GAP ka prezantuar një raport lidhur me subvencionet që ndahen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kryefjalë e këtij raporti ka qenë rekomandimi që procesi i subvencionimit të bëhet në mënyrë digjitale. Kjo, siç thekson raporti, do ta zvogëlonte edhe koston financiare, por edhe kohën e shqyrtimit të aplikimeve
Digjitalizimin e aplikimit për subvencione nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) e ka rekomanduar të hënën Instituti GAP, nëpërmjet një konferencë në të cilën është prezantuar një raport i bazuar në analizën mbi 51 thirrjet e këtij dikasteri qeveritar.
Besart Zhuja, hulumtues në GAP, ka theksuar se pas Ministrisë së Bujqësisë, është MKRS-ja ajo që e ndan buxhetin më të madh për subvencione të individëve dhe të organizatave.
Zhuja ka thënë se në sistemin e digjitalizimit duhet të përfshihen të gjitha fazat e procesit, nga aplikimi deri te përmbyllja e projekteve në mënyrë që të ndikohet në shkurtimin e kohës dhe të vlerësimit të projekteve.
“Mesatarisht, në këto thirrje që i kemi analizuar, Komisionit i janë dashur 48 ditë kohë dhe gjithmonë ka pasur shkelje të ligjit ose Rregullores së Ministrisë së Kulturës, ku përcaktohet afati prej 15 ditëve për vlerësimin dhe nxjerrjen e rezultateve”, është shprehur Zhuja.
Raporti i GAP-it ka theksuar se me digjitalizim do t’u hiqej edhe një barrë financiare aplikuesve për subvencione.
“Janë rreth 20 thirrje në vit që hapen nga Ministria e Kulturës dhe për secilën thirrje ka nga 1500 aplikues. Në tryezën që kemi pasur me aplikuesit, me organizata të shoqërisë civile, kemi kuptuar që kostoja mesatare e një aplikimi, printimi dhe skanimi i dokumenteve kushton tri euro. Sipas llogaritjes tonë i bie që 100 mijë euro në vit shpenzohen vetëm në këtë aspekt”, ka thënë Zhuja.
Ai ka shprehur bindjen se me digjitalizim do të lehtësohej edhe procesi i monitorimit të projekteve dhe do të evitoheshin rastet e humbjes së dokumentacionit nga arkivat e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.