LAJMET E MBRËMJES

Refuzimi i Speciales të lejojë Thaçin në varrimin e babait nxit reagime

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nuk ia lejuan Hashim Thaçit pjesëmarrjen në varrimin e babait të tij, Haxhi Thaçi, të martën. Refuzimi i Speciales ka nxitur reagime të mëdha. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që të mos shkelen të drejtat e të akuzuarve e kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shkruar se me këtë, Specialja ka humbur rrugën e saj.

Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë për të mos e lejuar ish-presidentin Hashim Thaçi të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, ka nxitur reagime të shumta. 

Në Burojë të Skenderajt, të martën është varrosur Haxhi Thaçi, babai i ish-drejtorit të Drejtorisë Politike të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. 

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një letre drejtuar kryetares së Speciales, Ekaterina Trendafilova, ka kërkuar që të drejtat e Thaçit, i akuzuar për dy raste, të mos shkelen. 

“Ne besojmë se vendimi është i padrejtë dhe në këndvështrimin e rrethanave, duhet të rishqyrtohet. Me mirësjellje ju kërkoj që t’i përcillni shqetësimet e mia dhe të ndërmerrni masa të menjëhershme ashtu që të drejtat e z. Thaçi të mos shkelen”, thuhet në letrën e Haxhiut. 

Ka reaguar edhe Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, parti që për shumë vjet e ka udhëhequr Thaçi.

“Një gjykatë ku drejtësia harron njeriun është një gjykatë që ka humbur rrugën e saj. Drejtësia pa ndjeshmëri është vetëm një mekanizëm i ftohtë, i pajetë, që nuk shërben as qytetarin, as shoqërinë. Historia nuk do të harrojë. E dhembshme dhe e papranueshme!”, ka shkruar Krasniqi në rrjetet sociale.

Avokati kryesor i Thaçit, Luka Mishetiq, ka shkruar në platformën X se kërkesa e klientit të tij për të marrë pjesë në funeralin e së martës i është dërguar gjykatës më 17 mars në orën 14:00. 

E në një deklaratë të Dhomave të Specializuara për këtë çështje, janë përmendur edhe vështirësitë teknike për organizimin logjistik të vizitave për kohë të shkurtër. 

“Tash për tash, gjykata nuk është në gjendje të japë informata lidhur me ndonjë kërkesë konkrete apo vendim në raport me z. Thaçi. Kjo, pasi kërkesat e të paraburgosurve dhe vendimet që lidhen me ato kërkesa janë fillimisht konfidenciale shkaku i privatësisë dhe sigurisë operacionale. Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjyqtarët zakonisht i riklasifikojnë këto dokument në mënyrë që publiku të informohet më detajisht. Është me rëndësi të theksohet se këto vizita, kur për to lëshojnë urdhra gjyqtarët, organizohen sa më shpejt të jetë e mundur, mund të marrin kohë, gjë që kërkon koordinimin e afërt të aktorëve, si dhe organizim logjistik kompleks që përfshin fluturimet dhe sigurinë”, thuhet në deklaratën e Gjykatës Speciale.  

Thaçi e takoi babanë për herë të fundit më 13 mars, kur i bëri vizitë në QKUK.

Të martën në varim, u pa edhe një kurorë me lule në emër të Thaçit, e ku shkruhej: “Në spital të thashë lamtumirë, babë! Nga Haga të them, mirupafshim në parajsë!”.

Ndaj ish-presidentit e ish-kryeministrit të Kosovës, Specialja ka ngritur dy aktakuza, për krime lufte dhe për ndikim te dëshmitarët.

Haxhi Thaçi vdiq të dielën mbrëma.