LAJMET E MBRËMJES

Raporti i UN Woman: Mbi gjysma e grave në Kosovë, viktima të dhunës nga partnerët

Mbi gjysma e grave në Kosovë, sipas Profilit Gjinor të Kosovës, i janë nënshtruar dhunës psikologjike, fizike apo seksuale nga partnerët intimë. Ky profil është lansuar në kuadër të fushës globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. E me këtë rast, përfaqësues institucionalë bënë thirrje për solidarizimin e të gjithë shoqërisë në luftën kundër dhunës në baza gjinore

54 për qind e të gjitha grave kanë përjetuar dhunë psikologjike, fizike e seksuale nga një partner intim që nga mosha 15-vjeçare, tregon Profili Gjinor i Kosovës, që u lansua të martën nga “UN Woman” në bashkëpunim me Agjencinë për Barazi Gjinore, mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Në këtë raport, të publikuar me rastin e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, është theksuar, po ashtu, se 2 mijë e 516 gra e fëmijë viktima të dhunës në familje janë pranuar nëpër strehimore nga viti 2019 deri më 2023. 

Avio Orav, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, e kualifikoi raportin e përpiluar si dëshmi të përkushtimit të institucioneve dhe të partnerëve ndërkombëtarë për eliminimin e dhunës ndaj grave. 

“Ne të gjithë duhet të jemi dakord për rëndësinë e dhunës ndaj grave. Në 3 vjetët e fundit Kosova ka miratuar ligjin e ri dhe strategjinë e re përkundër dhunës dhe ka miratuar strategjinë për fuqizimin e grave. Megjithatë, gjinia në shumicën e administratës së punës në Kosovë nevojitet të ndryshohet dhe të përmirësohet”, ka thënë Orav.

Në kuadër të aktivitetit, të martën u mbajt edhe konferenca me temën “Të Bashkuar Kundër Dhunës - Mjaft!”. Aty kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kërkoi solidarizimin e të gjithë shoqërisë për luftimin e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore.

“Fushata globale e 16 ditëve është dëshmi se përpjekjet për ta dënuar dhunën, e cila është me bazë gjinore, është i domosdoshëm një solidaritet dhe angazhim i përditshëm. Fatkeqësisht dhuna gjinore mbetet një problem i madh edhe ndonëse janë bërë hapat për avancimin dhe ngritjen e ndërgjegjësimit dhe të gjithë e dinë se kemi shumë punë për të bërë”, ka thënë ai.

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhunën në baza gjinore e kualifikoi si dështim kolektiv që kërkon përgjigje.

“Dhuna nuk është vetëm një akt, dhuna është një plagë që na sfidon si shoqëri. Një dështim kolektiv që kërkon një përgjigje të guximshme dhe të vendosur. Ne jemi këtu sot për të thënë mjaft. Mjaft me indiferencën, mjaft me justifikimet, mjaft me heshtjen që na bën bashkëfajtorë. Kosova ka bërë hapa përpara në shumë drejtime, por suksesi si shtet matet më së shumti nga ajo që ne si institucione bëjmë për më të dobëtit”, është shprehur Haxhiu.

Si pjesë e fushatës është publikuar edhe raporti i titulluar:  ‘Nën spektrin e padukshmërisë: Analizë e Dhunës me Bazë Gjinore ndaj Komuniteteve LGBTIQ+ në Kosovë 2023 – 2024”. Aty është theksuar se rastet e dhunës në baza gjinore ndaj personave të komunitetit LGBTIQ+, në polici, prokurori e gjykata shpesh regjistrohen pa specifikime të diskriminimit ndaj komunitetit.