Luftimi i korrupsionit, funksionimi i gjyqësorit, ai i legjislativit, janë vetëm disa nga fushat, në të cilat Kosova është kritikuar në raport për këtë vit. Në këtë dokument është identifikuar edhe mungesa e bashkëpunimit ndërpartiak, jo vetëm për miratimin e legjislacionit të Kosovës, por edhe në realizimin e reformave të BE-së
Komisioni Evropian ka publikuar raportet vjetore të progresit për vendet që synojnë anëtarësimin në BE.
Në dokumentin për Kosovën thuhet se vendi ynë ka bërë progres të kufizuar në luftimin e korrupsionit.
Megjithëkëtë, sipas këtij dokumenti, ka pasur përparim në gjykimin e rasteve të korrupsionit, që ka rezultuar në numër më të madh të vendimeve gjyqësore të formës së prerë.
“Megjithatë, rezultatet ndikohen nga mungesa e burimeve dhe kapaciteteve dhe nga mungesa e paanshmërisë dhe llogaridhënies në prokurori dhe gjyqësor. Përkushtim më i fortë në krijimin e një historie solide në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë mbetet i nevojshëm, duke përfshirë forcimin e përdorimit të mjeteve kundër korrupsionit si deklarimin e aseteve dhe planet për integritetin e institucioneve publike”, thuhet në Raportin e Progresit.
Sipas këtij raporti, rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht.
Sipas KE-së, Kosova gjatë vitit të ardhshëm në veçanti duhet të forcojë kapacitetet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, të zbatojë legjislacionin ekzistues kundër korrupsionit e të miratojë një strategji kombëtare dhe plan të veprimit kundër korrupsionit.
Po ashtu është kërkuar që të forcohet cilësia e hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Progres i kufizuar është identifikuar edhe në funksionimin e gjyqësorit.
Sipas raportit të Komisionit Evropian, vonesat dhe vështirësitë për të hartuar reformat në drejtësi tregojnë për një përsëritje të mungesës së vullnetit për të forcuar sistemin e drejtësisë.
“Konsultimet për këto reforma dhe në ndryshimi i ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës ishin të nxituara dhe nuk siguruan një rishikim kuptimplotë. Pavarësisht këshillave të forta të BE-së, Komisioni i Venecias nuk u konsultua nga Qeveria dhe Kuvendi për ndryshimet përfundimtare në ligjin për KPK-në dhe për reformat e tjera kyçe. Kjo ndikoi negativisht në cilësinë e legjislacionit dhe përafrimin e tij me standardet evropiane”, u tha në Raport.
Disa përparime janë identifikuar në fushën e drejtësisë, lirisë e sigurisë. Në raport është lavdëruar reagimi ndaj sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku thuhet se Policia e Kosovës ka treguar nivel të lartë të profesionalizmit.
Mes tjerash, në raport është kritikuar funksionimi i Kuvendit, për të cilin është thënë se ka një sërë sfidash në ushtrimin e kompetencave të tij.
Si pengesë për miratimin e legjislacionit janë identifikuar edhe mosmarrëveshjet e mungesa e bashkëpunimit mes mazhorancës dhe partive opozitare.
Mungesë e bashkëpunimit ndërpartiak është identifikuar edhe sa i përket realizimit të reformave të BE-së në mënyrë më efektive.
Kosova është vlerësuar se ka bërë përparim të kufizuar edhe sa i përket forcimit të kapaciteteve të saj në përballje me presionin konkurrues dhe forcave të tregut në BE.
Është kërkuar që të harmonizojë arsimin me nevojat e tregut të punës. Kërkesë tjetër ishte edhe që të mos ndërmarrë masa të njëanshme tregtare pa arsyetime, pa u konsultuar paraprakisht me Komisionin.