“...Ka një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin. Kam folur me kryetarët e bashkive, janë skandalizuar nga shumë video, lajme, komente të rreme të manipuluara... Përpjekje e ulët që shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur Shqipërinë, ndërkohë këtë vit ka 25 për qind më shumë sesa vjet. Ka një rritje shumë të fortë të turistëve turq e polakë”, është shprehur Rama
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar të mërkurën se po shpërndahen informata të rreme se turistët i kanë braktisur plazhet shqiptare, duke shtuar se sivjet është rritur numri i turistëve nga Kosova.
Në një tubim me qytetarë, Rama është shprehur se është e ulët përpjekja për të prezantuar se kosovarët nuk po e vizitojnë Shqipërinë, teksa ka shtuar se ka rritje edhe të turistëve nga Turqia dhe nga Polonia.
“...Ka një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin. Kam folur me kryetarët e bashkive, janë skandalizuar nga shumë video, lajme, komente të rreme të manipuluara... Përpjekje e ulët që shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur Shqipërinë, ndërkohë këtë vit ka 25 për qind më shumë sesa vjet. Ka një rritje shumë të fortë të turistëve turq e polakë”, është shprehur Rama.
Kryeministri i Shqipërisë ka theksuar se profile të rreme po shpërndajnë dezinformata në internet për rënien e turizmit bregdetar. Ai ka deklaruar se, sipas Komisionit Evropian (KE), Shqipëria për turizëm veror është në vendin e parë dhe ka rritje për 86 për qind. Sipas Ramës, Shoqata Evropiane e Udhëtimeve, sipas klasifikimit të fundit e ka renditur Shqipërinë në vendin e parë me 86 për qind rritje të fluksit të udhëtimeve. Shqipëria pasohet nga Serbia me 48 për qind, e më pas Mali i Zi dhe Turqia.
Rama ka thënë se çmimet në jug të vendit janë rritur në mënyrë absurde, porse ka shtuar që Qeveria nuk mund t’i kontrollojë apo t’i ndalë ato. Sipas tij, rritja e çmimeve në plazhet jugore është vetëvrasje ekonomike për vetë pronarët e hoteleve e restoranteve.
“Qeveria dhe bashkitë nuk vendosin çmimet, ky është sistemi që kemi zgjedhur dhe nuk vendosim dot çmimet as të hoteleve, as të restoranteve dhe as nuk i kontrollojmë apo imponojmë dot. Në Vlorë Ermal, në Sarandë Olti, ku janë dy pikat e një rritjeje absurde të çmimeve është shumë e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve dhe t’iu thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë, por kjo është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë. Duhet të flitet që rritja e palogjikshme e çmimeve vjen me një kosto shumë të lartë vitin tjetër. Se po të ishte kaq kollaj do ta kishte bërë tërë bota këtë sport. E kanë bërë dhe kanë marrë mbrapsht mësime të hidhura. Para se të jetë vonë duhet të komunikohet që çmimet të jenë të arsyeshme”, është shprehur Rama.
Kryeministri i Shqipërisë ka veçuar Vlorën, duke theksuar se aty duhet që çmimet “të zbresin me këmbë në tokë”.
“Shikoni Durrësin, Shëngjinin, Velipojën, janë stabile. Vlonjatët janë molla e këtij sherri, sepse tani që Vlora është bërë kaq e kërkuar dhe konkurruese, gropa në gjoksin e vlonjatëve është hapur dhe bërë një gropë ku do bien vetë këta që i ngrenë çmimet në këtë far feje. Nuk më vjen keq për ta, por është e padrejtë dhe e turpshme për të krijuar një klimë absurde kur sapo kemi hyrë në Champions Leaguen e turizmit të Mesdheut. Më mirë syri sesa nami. Vlonjatëve ju kanë dalë edhe sytë, edhe nami dhe ju kanë dalë edhe trutë nga vendi atyre që kanë bërë ato hotelet. Duhet të zbresim pak me këmbë në tokë, nuk ua thua dot vlonjatëve, por të paktën të zbresim në kat të dytë”, ka deklaruar ai.
Rama u ka bërë thirrje kryebashkiakëve të Vlorës dhe të Sarandës, ku janë raportuar çmime të larta krahasuar me një vit më parë, duke kërkuar që ata të bisedojnë me operatorët turistikë për këtë problematikë.
“Duhet t’iu thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë, por është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë”, tha Rama gjatë takimit.
Ai ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak se turistët e huaj e konsiderojnë Shqipërinë një destinacion të lirë, por ka shtuar se kjo do t'i dëmtojë këta operatorë turistikë, kryesisht në jug të Shqipërisë, por edhe gjithë turizmin.
Një tjetër çështje që ai e ka cilësuar si shqetësim për turizmin është ndotja. Rama ka thënë se ka përmirësim krahasuar me një vit më parë, porse sërish ndotja mbetet problematike. Si shembull aie mori Liqenin e Komanit, në veri të Shqipërisë.
“Liqeni i Komanit pastrohet çdo dy javë. Do ta çojmë edhe ushtrinë për ta pastruar. Por kjo histori që banorët hidh dhe ushtria pastro, s’mund të vazhdojë”, ka thënë ai.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Qeveria e Shqipërisë, nga janari i këtij viti deri në qershor vendin e kanë vizituar 4.5 milionë turistë ose 34 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkaq, më 2023 Shqipëria regjistroi një numër rekord turistësh prej 10.1 milionësh.