LAJMET E MBRËMJES

Rama e Abdixhiku shfaqen së bashku në publik pas një viti

Kryetari i Prishtinës dhe ai i LDK-së janë shfaqur së bashku në publik pas më shumë se një viti. Ata kanë thurur lavde e kanë uruar njëri-tjetrin në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Burime të KOHËS thonë se raportet e tyre janë të krisura tash e një kohë, por Rama e mohoi këtë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se e ka përkrahjen e LDK-së dhe të kryetarit Lumir Abdixhiku për të garuar edhe për një mandat.

Por teksa e pohoi këtë të mërkurën, ai u ndërpre nga shefi i kabinetit të tij, Vllaznim Osmani.
“Po, patjetër që po...”, tha Rama.

Rama e Abdixhiku u panë të mërkurën bashkë në përurimin e punimeve për “Ishullin urban Arbëri-Pallati i Rinisë”, projekt i nisur nga Komuna e Prishtinës.

Shfaqja e përbashkët e tyre në publik u bë pas një viti, qëkur nisën punimet në rrugën “Xhim Xhema”.
Pati edhe lavde, ndonëse burime të KOHËS thonë se për një kohë të gjatë marrëdhënia mes tyre nuk ka qenë e mirë.

Abdixhiku e lavdëroi Ramën. 

“I dashur Përparim, është kënaqësi të ju them kështu kur kemi një projekt të tillë, nga një arkitekt siç është Rama. Jam shumë i lumtur që projektet kapitale po ndodhin në Prishtinë. Përparimi po e lë një shenjë historike në Prishtinë ashtu siç ka premtuar. Jemi krenarë të gjithë për këtë. Prandaj Përparim, bëhu gati edhe për 3 projekte të mëdha. Për unazën e kryeqytetit, stadiumin e ri në Bërnicë dhe për spitalin e ri në Prishtinë”, ka thënë Abdixhiku.

E, Rama e quajti kryeministër të ardhshëm Abdixhikun.

“I nderuari kryeministër në ardhje i Kosovës, Lumir Abdixhiku, po u grahim punëve”, ka thënë ai duke qeshur.

Rama, që në një rast pati thënë se nuk është anëtar i LDK-së, e arsyetoi marrëdhënien e ftohtë me Abdixhikun deri më tash. 

Ai mohoi po ashtu se ky afrim i tyre është bërë shkaku i zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Unë po ju them dhe ju kam thënë gjithmonë mos u merrni me përfolje. Ne nuk kemi pasur probleme. Kemi pasur marrëdhënie të mira. Normal që secili me punën e vet. Unë si kryetar i Prishtinës me projekte të mëdha në transformim të kryeqytetit e Lumiri me punë të veta me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me çu përpara Kosovën. Në aspektet e programeve ne e kemi programin e njëjtë në transformimin e kryeqytetit”, ka thënë Rama.

KOHA u është drejtuar me pyetje Abdixhikut dhe zëdhënësit të LDK-së, Besian Mustafa, nëse Rama do të mbështetet nga partia për rikandidim dhe nëse janë të kënaqur me punën e bërë deri më tash në Komunën e Prishtinës. 

Përgjigje nuk ka kthyer asnjëri.

Rama në shumë raste nuk e ka pasur përkrahjen e asamblistëve të LDK-së, nën logon e së cilës parti fitoi zgjedhjet për kryetar të Prishtinës më 2021.