LAJMET E MBRËMJES

Rama akuzon LVV-në e PDK-në për mosmiratim të projektbuxhetit të Prishtinës

Arsyet e dështimit të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i vlerësoi si krejtësisht politike. Rama ka thënë se buxheti është i analizuar mirë dhe se opozita nuk ka asnjë arsye ta kundërshtojë atë, porse po vepron me inat

Një ditë pasi Kuvendi Komunal nuk arriti ta miratojë projektbuxhetin për vitin 2025, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka akuzuar opozitën për këtë dështim.

Në një konferencë për media, të enjten, Rama ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës e bllokuan miratimin e projektbuxhetit për qëllime politike.

“Buxheti është një proces i mirë analizuar...Për fat të keq, opozita ka bërë çmos që ta bllokojë procesin dhe për shkaqe puro politike sepse nuk ka pasur asnjë arsyeshmëri që buxheti të mos kalojë dje. Mirëpo, shpresoj që në seancën e radhës do të kemi një përbashkim dhe do ta shtyjmë përpara buxhetin e kryeqytetit. Unë e shoh këtë vetëm si një tentim të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës aty që ishin opozitarë që dolën prej seancës për ta bllokuar këtë proces”, ka thënë Rama.

Buxheti nuk kaloi, pasi seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal u braktis nga asamblistë të dy prej partive kryesore opozitare.

Në PDK e akuzuan pushtetin se nuk e ka respektuar ligjin, duke shpërfillur dëgjimet publike para se projektbuxheti të dërgohej në Kuvend. E në LVV, vlerësuan se nuk ka rritje të mjaftueshme të buxhetit.
Buxheti i propozuar për vitin 2025 për kryeqytetin është 128 milionë euro, 3 milionë më shumë sesa në vitin 2024.

Në konferencën ku Rama foli për projektbuxhetin, prezantoi edhe programin e konferencës së dytë të investitorëve “Prishtina 2030”. Sipas tij, një numër i madh i investitorëve kanë shprehur interesim serioz për projektet.