Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë softuerin i cili pritet t’i digjitalizojë disa nga operacionet zgjedhore. Përfaqësues të OSBE-së thanë se ai do ta bëjë të mundur menaxhimin më të lehtë të zgjedhjeve, e ata të KQZ-së theksuan se Ligji i ri do të paraqesë sfida në proces
Në zgjedhjet e 9 shkurtit pritet që të votohet me një infrastrukturë zgjedhore të modernizuar.
Digjitalizimi i disa procedurave do të mundësohet përmes softuerit që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar të enjten nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Ky softuer do t’ua mundësojë votuesve që në çdo kohë të ndërrojnë Qendrën e Votimit dhe përmes tij votuesit me aftësi të kufizuara do të mund të regjistrohen nga shtëpia.
Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka thënë se me zbatimin e këtij softueri do të bëhet menaxhimi më i lehtë i procesit zgjedhor.
“Kjo paraqet një hap të rëndësishëm përpara sa i përket përmirësimit të efikasitetit, transparencës dhe integritetit të procesit zgjedhor. Dhe natyrisht koha kur po bëhet kjo është shumë e rëndësishme se sapo janë shpallur zgjedhjet e radhës. Ne të gjithë e dimë se zgjedhjet e lira dhe të drejta janë bazë e demokracisë. Duke e pajisur KQZ-në me këtë softuer bashkëkohor, jo vetëm që po mbështesim modernizimin e infrastrukturës zgjedhore, por në të njëjtën kohë jemi duke u ofruar edhe votuesve një arsye shtesë për të pasur besimin në procesin zgjedhor”, ka thënë Davenport.
E kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, vlerësoi se kjo mbështetje nga OSBE-ja do ta avancojë procesin zgjedhor.
Por ai shprehu drojën se zbatimi i Ligjit të ri për zgjedhje do të jetë sfidues.
“KQZ-ja ka ndërmarrë hapa konkretë që besojmë se do të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor në vazhdim dhe rrjedhimisht edhe në besueshmërinë e qytetarëve dhe të akterëve të tjerë. Me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, procesi zgjedhor si brenda, por edhe jashtë vendit ka pësuar ndryshime thelbësore dhe sigurisht se zbatimi i tij do të jetë sfidues në zgjedhjet e datës 9 shkurt 2025, por shpreh gatishmërinë e KQZ-së për të përmbushur detyrat që dalin para nesh”, ka thënë Radoniqi.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt të vitit 2025.