LAJMET E MBRËMJES

Qytetarët shprehen të pakënaqur me kushtet e punëtorëve në Kosovë

Në krahasim me vitet e kaluara, numri i qytetarëve të cilët kanë frekuentuar parkun e Gërmisë në Ditën Ndërkombëtarë të Punëtorëve ka qenë dukshëm më i ulët. Disa prej qytetarëve janë shprehur të pakënaqur me kushtet e punëtorëve në Kosovë, derisa i kanë bërë thirrje Qeverisë që të angazhohet më shumë për t’u krijuar kushte më të mira të punës të rinjve.

Festa për ditën e 1 Majit duket se ka filluar të zbehet. 

Por qytetarë të shumtë edhe këtë vit e kishin destinacion parkun e Gërmisë. 

Si rrallëherë këtë vit në parkun e Gërmisë nuk kishte muzikë e valle, ashtu siç jemi mësuar të shohim vite me radhë.

Qytetarët janë shprehur të pakënaqur me kushtet e punëtorëve në Kosovë, duke e cilësuar si arsyen kryesore të migrimit të të rinjve. 

“Atyre (punëtorëve) iu kanë shkelur çdoherë të drejtat, aty ka hapësirë ende me iu ndihmu. Pagat janë shumë të ulëta, pjesa më e madhe e rinisë po na ikin janë të shtypur. Në disa vende janë përmirësuar kushtet, tash është më mirë, por ka hapësirë që me u bë më mirë përndryshe po na ikin rinia po na shkojnë jashtë po i përgatitim e po i shkollojmë po na i merr Evropa”, tha pensionisti Xhavit Robelli. 

“Punëtorët po ikin më të madhe po e lëshojnë Kosovën, nuk po gjejnë perspektivë këtu. Kosova ka mbet edhe pa profesione të rëndësishme për arsye se rinia po e gjen vetën Evropë në vende më të zhvilluara”, tha pensionisti Nehat Spahiu. 

Disa qytetarë kanë thënë se punëtorëve nuk u janë shkelur të drejtat asnjëherë më shumë se tani.

“Të drejtat e punëtorëve janë duke u shkelur shumë, kurrë s’kanë qenë kështu, as në kohën e përparshme nuk kanë qenë kështu me u shkel të drejtat e punëtorëve, punëtori sot punon sikur rob”, tha qytetari Shemsi Gashi. 

“P.sh. pagat e vogla, mos respektimi i orarit, punë e stërzgjatur, këto janë kryesoret. Realisht nuk kishin guxua me punua të zezën dëmtohet edhe buxheti i shtetit edhe vet punëtori por siç e dimë ne shumica punojnë pa sigurim shëndetësor”, tha qytetari Shefket Lakna. 

Qytetarët e kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës se nuk është duke u angazhuar që të rinjve t’u sigurojë mundësi më të mira për të punuar në profesionet e tyre.