Qytetarët janë paralajmëruar të martën që të mos bien pre e mashtrimeve nëpërmjet mesazheve telefonike që u dërgohen në telefona në emër të Postës. Në Polici kanë alarmuar për rrezikun e vjedhjes së të dhënave bankare e personale, në rast të klikimit në vjegëzën e përcjellë në mesazh. E për të shmangur mundësinë e mashtrimeve, eksperti i sigurisë kibernetike, Arian Sheremeti, kërkon të ndërmerren masa për ngritjen e vetëdijes së qytetarit e për rritjen e nivelit të sigurisë kibernetike
Posta e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët për rrezikun e vjedhjes së të dhënave të tyre personale, nëpërmjet mesazheve që u janë dërguar nëpër telefona në emër të saj.
Në këto mesazhe, pranuesit njoftohen për anulim të dërgesës postare, e për ridërgesë atyre u kërkohet të klikojnë mbi një vjegëz.
Në Postë kanë njoftuar se mesazhet janë mashtrim.
“KUJDES! Posta e Kosovës njofton publikun që të mos bjerë pre e një mashtrimi. Palë të panjohura po u dërgojnë SMS qytetarëve, duke u paraqitur në emrin e Postës së Kosovës. Menjëherë pasi është njoftuar për këtë, Posta e Kosovës ka informuar organet kompetente dhe po bashkëpunon me to”, ka njoftuar Posta e Kosovës.

Në Polici nuk treguan nëse kanë evidentuar ndonjë rast të mashtrimit të qytetarëve, por paralajmëruan se klikimi në vjegëzën e paraqitur në mesazh mund të rezultojë me vjedhjen e të dhënave bankare apo informatave të tjera personale.
“Jemi duke vërejtur një rritje të ankesave të qytetarëve për raste të mashtrimeve përmes mesazheve telefonike (SMS), ku qytetarët pranojnë mesazhe që përmbajnë Link-e të dyshimta dhe duke klikuar në këto linke, mashtruesit mund të fitojnë qasje në llogaritë bankare të qytetarëve ose të dhëna tjera personale, me ç’rast nga llogaritë bankare në mënyrë të paligjshme të dyshuarit përfitojnë të holla”, u tha nga Policia e Kosovës.
Njohësi i sigurisë kibernetike, Arian Sheremeti, thotë se raste të tilla janë më se të përhapura në Kosovë dhe se rreziku prej tyre është i madh.
“Rreziku është i madh, kryesisht ka të bëjë me vjedhjen e mjeteve financiare ose përmes blerjeve online ose nëse mund të marrin qasje të paautorizuar në ndonjërën prej llogarive bankare”, tha Sheremeti.
Për shmangien e mashtrimeve, ai kërkon që të ndërmerren masa për ngritjen e vetëdijes te qytetarët dhe që të rritet niveli i sigurisë kibernetike.
“Ka nevojë që fillimisht të ngritet vetëdija, që të parandalohen këto sulme që janë më të thjeshta. Ndërsa sulmet që janë më të avancuara, qoftë prej akterëve të tjerë keqdashës që ndonjëherë mund të jenë të sponzorizuar prej shteteve të tjera, atëherë duhet të ketë masa preventive, detektive dhe masa të tjera që duhen të ndërmerren. A është niveli i kënaqshëm? Jo, asnjëherë. A është diçka që mund të rregullohet menjëherë? Jo, por do të mësohemi të jetojmë si me çdo rrezik tjetër”, tha Sheremeti.
Krahas Postës dhe Policisë, për kujdes karshi mesazheve me përmbajtje mashtruese qytetarët të martën janë paralajmëruar edhe nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.